Kërcënimet ndaj medias, Cukali: Rama po gjen armik, sepse është i paaftë të përballet me realitetin
Drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, komentoi qëndrimet kërcënuese të kryeministrit Rama ndaj medias.
Cukali tha se përgjatë gjithë transmetimit të tragjedisë së tërmetit mediat shqiptare kanë pasur qasje pozitive dhe ka qenë etike.
Ai ngriti pyetje edhe se kush është zyra apo personi që përcakton etikën, ndërsa shtoi se kryeministri po shfrytëzon gjendjen e jashtëzakonshme.
Drejtori i KShM theksoi se Rama po gjen armik sepse është i paaftë të përballet me realitetin.
Koloreto Cukali: “Media shqiptare në përgjithësi ka pasur një qasje shumë pozitive dhe të mirë ndaj raportimit. Gjithmonë bëhet fjalë për mediat shqiptare që punon në stres, me halle, me rroga të ulta dhe prapë ka bërë punë shumë të mirë.
Sigurisht që diku mund të ketë pasur shkelje etike, diku ekzagjerim, diku disa tituj ndoshta më bombastik seç duhej. Por mendoj se media ka qenë etike. Problemi i madh këtu është se mbi ç’baza ligjore po e bën kryeministri këtë? Cila është zyra , zyrën dhe njeriun që përcakton se çfarë është qenka etike apo? Kush është ky njeri, cilët janë këta njerëz ne duam ti dimë se nuk jemi në luftë dhe nuk bëhet fjalë për një qeveri në jeton në ilegalitet.
Sigurisht që kryeministri po e shfrytëzon gjendjen e jashtëzakonshme. Mendoj që atij i duhet një armik sepse e ka të pamundur të përballet me këtë fatkeqësi. Përgjegjësia është shumë e madhe. Po kërkon një armik dhe është i paaftë të përballet me realitetin. Sepse nuk mund të thotë se po përhapni panik kur vdekjet janë aty rrënojat janë aty. Gjithçka e kemi parë me sy dhe e kemi ndjerë në trup. Nuk e kuptoj se çfarë paniku është përhapur.”