Hetimet/Kërcënimi i Dhori Kules nga Emiljano Shullazi është filmuar
Ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot masën e “arrestit me burg” për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, detaje të reja dalin nga dosja hetimore. Mësohet se kërcënimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, nga Emiljano Shullazi, është filmuar nga një kamera sigurie. Ngjarja ka ndodhur fundjavën e kaluar përpara njërës prej kamerave të sigurisë së një hoteli me 5 yje në Tiranë. Këtë fakt e konfirmuan burime të prokurorisë. Sipas tyre, prokuroria disponon filmime kur Shullazi dhe Kule janë përballur me njëri – tjetrin. Para rektorit u kërcënua edhe Mynyr Koni, kandidat për rektor në zgjedhjet e Universitetit të Tiranës.
Mësohet se Kules i është kërkuar që të mos mbështesë Konin në garën përballë Klodeta Dibrës.
Sipas burimeve të gazetës Panorama disa persona i kanë zënë fillimisht rrugën Mynyr Konit dhe e kanë futur në makinë, ku i kanë kërkuar që të nesërmen e asaj dite, të dorëhiqet nga gara për rektor në UT. “Do të mendohem deri nesër”, mësohet se u është përgjigjur pedagogu. “Dorëhiqu nesër” ka vijuar kërcënimi nga njëri prej personave në makinë.
Ish-kryeministri, Sali Berisha tha të shtunën se ishte Emiljano Shullazi i cili kishte kërcënuar Mynir Konin.
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Emiljano Shullazin paraditen e së mërkurës. E njëjta masë sigurie u dha edhe për Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin. Seanca për masën e sigurisë u zhvillua pa praninë e mediave. Emiljano Shullazi akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal e më pas gjobëvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.