Kërcënimi i paqes në Ballkan, Dervishi: Moska synon konfliktin

Analisti Lutfi Dervishi ka komentuar situatën e tensionuar në Ballkan dhe interesin rus në rajonin tonë. Ai u shpreh se interesi i Rusisë në rajonin e Ballkanit është konflikti ashtu siç ndodhi në Banjskë. Më tej, ai foli edhe për rolin e NATO-s dhe të Bashkimit Europian për të cilin tha se ka hezituar për ta përfshirë Ballkanin si pjesë të oborrit të vet të përparmë.

“Të gjitha janë efekte të luftës në Ukrainë dhe duhet parë se cilat janë interesat e aktorëve, cili është interesi i Rusisë dhe kundërpërgjigja e NATO-s. Nëse shohim se çfarë ka ndodhur që nga nisja e luftës në Ukrainë, NATO po shkon drejt zgjerimit, me Finlandën dhe Suedinë, dy vende që kishin zgjedhur prej dekadash të ishin në një paqe të ftohtë me Rusinë. Kemi një angazhim më të fuqishëm të vendeve kryesore të BE-së, si Gjermania që dyfishojë menjëherë buxhetin për ushtrinë dhe deklaratën e kryeministrit sot që Shqipëria e ka kaluar në 2 për qind buxhetin.

Pra, mesazhet që jep Stoltenberg janë përballë interesave ruse. Interesi rus, në rastin më të mirë, është konflikt dhe këtë e pamë në rastin e Banjskës, e shohim në republikën Srbska me veprimet e Dodik. Interesi më minimal është që vendet e rajonit të zhyten në konflikte të vogla dhe të mos bëjnë përpara. Narrativa ruse shfaqen me apo pa dashje edhe në Shqipëri me artikujt me botën multipolare. Ndikimi rus është i qartë me lidhjet historike, tradicionale, me botën sllave dhe e ushtron përmes kishës, përmes propagandës së mediave, e ushtron dhe me qëndrimet që ka mbajtur. Qëndrimi që ka mbajtur ndaj Kosovës ka fituar simpati në Serbi, por e ka përdorur edhe si instrument me Krimenë.

Duhet pranuar që BE-ja ka hezituar për ta përfshirë Ballkanin si pjesë të oborrit të vet të përparmë, jo si një telash, jo si një fuçi baruti, por si interes i vet strategjik. Ne kemi parë që zgjerimi është ndalur që nga anëtarësimi i Kroacisë. Nga pikëpamja e demokracive është përplasja e dy modeleve. Interesi rus është që të tregojë që edhe vende si Shqipëria, me orientim perëndimor, anëtarët e aleancës të dështojnë me modelin demokratik. Në njëfarë mënyre, ky është interesi rus”, tha Dervishi në A2 CNN.

SHKARKO APP