Kërcënoi në telefon vajzën e pronarit dhe vodhi dyqanin, pranga të riut
Policia ka arrestuar një 31-vjeçar në Maliq pasi ka vjedhur një dyqan dhe ka kanosur nga telefoni vajzën e pronarit të këtij biznesi.
Mësohet se në pranga ka rënë Skerdi Lamçe banues në fshatin Sheqeras të Maliqit, i cili rezulton se është i dënuar më parë disa herë për vjedhje.
31-vjeçari në momentin që ka qenë i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Korçë ka tentuar të largohet, por u kap menjëherë dhe u prangos nga policia.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. L., 31 vjeç, banues në fshatin Sheqeras, Maliq (i dënuar më parë disa herë për veprën penale “Vjedhja”).
Shtetasi i mësipërm më datë 30.08.2020, ka vjedhur në dyqanin e shtetasit V. Q., në fshatin Sheqeras, artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe paketa cigare në vlerën 20.000 lekë, si dhe ka kanosur nëpërmjet telefonit vajzën e pronarit të dyqanit.
Gjithashtu 31-vjeçari, në momentin që ka qenë i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Korçë ka tentuar të largohet, por u kap menjëherë dhe u prangos nga policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vjedhja”, “Kanosja”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, mbetur në tentativë”.