Kërcënon Putin: Moska do të shqyrtojë disa alternativa, nëse Perëndimi refuzon propozimet mbi Ukrainën!

Presidenti rus Vladimir Putin tha të dielën se do të shqyrtojë një mori alternativash nëse Perëndimi dështon të përmbushë ato që ai i quan garanci për siguri.

Në fillim të këtij muaji, Moska paraqiti dy projekt-dokumente mbi sigurinë, duke kërkuar që NATO të mos lejojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë, e vendeve të tjera ish-sovjetike, si dhe të tërheqë trupat ushtarake të saj nga Evropa Qendrore e Lindore.

Zoti Putin i ka kërkuar Perëndimit të lëvizë me shpejtësi për të përmbushur kërkesat, duke paralajmëruar se Moska do të ndërmarrë “masa të përshtatshme ushtarako-teknike” nëse Perëndimi siç tha ai, vazhdon kursin e tij agresiv në pragun e Rusisë.

I pyetur për të specifikuar se për çfarë bëhet fjalë zoti Putin tha se alternativat “mund të jenë të ndryshme”, duke shtuar se kjo “do të varet nga propozimet që do të paraqesin ekspertët ushtarakë rusë”.

SHBA dhe aleatët e saj kanë refuzuar t’i ofrojnë Rusisë garancitë që kërkon lidhur me Ukrainën, duke përmendur parimin e NATO-s se anëtarësimi është i hapur për çdo vend kualifikues. Megjithatë Perëndimi ka rënë dakord, për të nisur bisedimet me Rusinë muajin e ardhshëm për të diskutuar shqetësimet e saj.

Sipas zotit Putin bisedimet me SHBA-në do të mbahen në Gjenevë. Paralelisht, pritet të zhvillohen edhe negociata ndërmjet Rusisë dhe NATO-s dhe priten diskutime më të gjera në kuadrin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Në fjalimin e transmetuar të dielën, Presidenti Putin tha se Rusia i paraqiti kërkesat me shpresën për një përgjigje konstruktive nga Perëndimi.

Ai ripohoi se anëtarësimi në NATO i Ukrainën ose vendosja e armëve të aleancës në këtë vend është një vijë e kuqe për Moskën, dhe se ajo nuk do të lejonte që Perëndimi ta kalonte.

Kremlini prezantoi kërkesat e tij mes tensioneve mbi një rritje në javët e fundit të pranisë ushtarake ruse pranë Ukrainës çka ka nxitur frikën e Perëndimit për një sulm të mundshëm. Presidenti Joe Biden paralajmëroi zotin Putinin gjatë një video-telefonate në fillim të këtij muaji se Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” nëse sulmon Ukrainën.

Rusia ka mohuar se ka një qëllim të tillë dhe ka akuzuar Ukrainën për hartimin e planeve në përpjekje për të rimarrë kontrollin e territoreve që mbahen me force nga rebelët e mbështetur nga Moska. Ukraina i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, një territor i Ukrainës në vitin 2014. Gjatë më shumë se shtatë viteve luftime janë vrarë mbi 14,000 njerëz dhe është shkatërruar zemra industriale e Ukrainës, njohur si Donbasi./VOA

SHKARKO APP