Kërkimet për familjen Lala/ Komandanti i zjarrfikësve Durrës: Objekti ka krijuar hapësira, shpresojmë të gjejmë të gjallë
Nadir Kabaj, komandant grupi në zjarrfikëset e Durrësit është një prej heronjve që po punojnë pareshtur për të gjetur persona të mbetur nën gërmadha.
Kabaj drejtoi operacionin për shpëtimin e 17-vjeçarit Ramë Lala dhe gjeti trupin e pajetë të Sadete dhe Amelia Lala.
Kabaj tregon se i vetmi me të cilin kanë komunikuar është Ramë Lala, i cili ishte pas një dere dhe ka shpëtuar. Kur kanë hapur një vrimë për të shkuar drejt tij kanë gjetur trupat e pajetë të gjyshes dhe Amelias.
“Ne morëm informacion se këtu ishte shembur një godinë 4-katëshe. Erdhëm shumë shpejt dhe filluam të operonim. Dëgjuam një person që kërkonte ndihmë. U munduam si grup që t’i krijonim hapësira personit që të merrte ajër. Kemi biseduar vazhdimisht dhe i jepnim kurajë. Arritëm deri tek personi dhe e nxorëm.
Ne gjetëm një hapësirë dhe i çuam ujë personit dhe më pas gjetëm një vend të afërt për të hapur një vrimë për të arritur tek ai. Aty gjetëm dy kufoma. Më pas punuam për të nxjerrë personin që ishte gjallë.
Objekti që ka rënë nga tërmeti ka krijuar hapësira dhe ne shpresojmë që të ketë dhe njerëz të gjallë. Dhe personin që e nxorëm ishte struktura e objektit që e mbante. Ishte një derë aty që e mbante të merrte oksigjen dhe të mos i binin materialet e rënda që mund t’i merrnin jetën”, tha Kabaj për gazetaren Dorjana Bezat.