Kërkohet me ngulm nga Turqia, prokuroria e Tiranës nis hetimet për biznesmenin turk, Policia jep shpërblim për kapjen e tij
Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj biznesmenit turk Faruk Ozer, pasi ai po kërkohet prej më shumë se dy javësh nga Turqia, i akuzuar si një nga mashtruesit më të mëdhenj në historinë e këtij shteti.
Procedimi ndaj të riut ka nisur për akuzën e mashtrimit kompjuterik, ndërkohë që 27-vjeçari Ozer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike bitcoin që kap vlerën rreth 2 miliardë dollar.
Faruk Ozer rezulton të jetë futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti, ndërkohë që kanë dalë dhe pamje filmike nga momenti kur ai është akomoduar në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.
Nga ana e tij, Faruk Ozer mohoi akuzat në një deklaratë në Tëitter. Ai tha se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh. Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik.
Ozer gjithashtu tha që pretendimet se paratë ishin zhdukur ishin të pavërteta, ndërkohë që mbetet e paqartë se pse ai nuk është dorëzuar ende, sa kohë që beson në pafajësinë e tij.
Policia shqiptare ka dhënë një shpërblim prej 50 mijë dollarësh, për të gjithë personat që japin informacion mbi vendodhjen e tij.