Këshillat Bashkiak, PD-ja forcë e 7-të në Gramsh, pas PSV’ 91 në Librazhd

Numërimi i kutive për Këshillat Bashkiakë ka arritur në kuotën afro 93% të kutive dhe kanë mbetur ende pa u hapur edhe 375 kuti, bilanci i deritanishëm ka prodhuar rezultate interesante, për të mos thënë të çuditshme, veçanërisht për Partinë Demokratike.

Ka ndodhur që koalicioni i saj ka fituar Kryetarin e Bashkisë, por ka humbur Këshillin Bashkiak, Rasti tipik është ai i Lezhës, ku Fran Frrokaj fitoi mandatin për të drejtuar Bashkinë e Lezhës me 4063 vota më shumë se rivali i tij, Viktor Tushaj, ndërsa koalicioni i djathtë humbi dhe Partia Demokratike doli forcë e tretë, me 3032 vota pas PS-së me 7720 dhe LSI-së me 6547.

Në Gramsh, Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit ka marrë shumicën e votave për Këshillin Bashkiak, 1120. LSI në vend të dytë me 1092, PS e treta me 1089, ndërsa PD është forca e shtatë me 552 vota.

Kurioze janë shifrat që ka prodhuar numërimi i kutive të Librazhdit, ku partia PSV’91 e Petro Koçit ka marrë 52 vota më shumë se PD-ja.

E çuditshme, por e vërtetë, në Fushë – Arrëz, ka më shumë mbështetës Partia e çamëve sesa demokratët, teksa llogaritë e nxjerrin PD-në forcën e gjashtë, me 264 vota ndërsa PDIU me 326 vota.

Dikush mund ta konsiderojë histori gazmore, por vota duhet respektuar. Është rasti i Kurveleshit në Tepelenë, ku Partia Social Punëtore, me Kryetar Ramadan Ndreka dhe me seli në Portoromano të Durrësit, ka marrë 166 vota, PS 139, LSI 126, ndërsa PD, forcë e katërt, me 94 vota.

SHKARKO APP