Këshilli Bashkiak i Kukësit: S’ka takim dhe tarifë. Lironi të arrestuarit
Nëse për qeverinë tarifa prej 5 eurosh për kalimin në Rrugën e Kombit është e panegociueshme, për Këshillin Bashkiak e Kukësit është e panegociueshme heqja e kësaj tarife.
“Tarifa për Rrugën e Kombit është e panegociueshme! Kërkojmë lirimin e të gjithë të arrestuarve dhe ndalimin e arrestimeve të tjera”,-thuhet në deklaratën për mediat.
Këshilli ka dalë me një qëndrim, ku veç heqjes së tarifës kushtëzon bisedimet me qeverinë për situatën e krijuar me lirimin e të ndaluarve. “Çdo përpjekje për bisedime nuk do të merret në konsideratë deri në momentin që të jenë liruar të gjithë të arrestuarit”, thuhet në reagimin e Këshillit Bashkiak.
Protestës së qytetarëve kuksianë para komisariatit të qytetit u është bashkuar edhe biznesi vendas. Shoqata Biznesi për Biznesin kërkon lirimin e personave të ndaluar nga policisë dhe shpreh shqetësimin se protesta kundër pagesës në Rrugën e Kombit po përdoret për të frikësuar dhe persekutuar qytetarët e Kukësit.
“Kemi argumentuar që kjo taksë është e padrejtë, sepse paguhet. Rruga është ndërtuar me fonde publike dhe jo private”, thonë përfaqësuesit e shoqatës.
KOHA JONË SONDAZH

