Këshilli Bashkiak, Veliaj: E duam për bashkëpunim me qeverinë për punët e mira, siç kemi bërë
Gjatë prezantimit të kandidatëve të rinj për Këshillin Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se bashkia është një instrument që shërben për të bashkëpunuar me Qeverinë për vijimin e projekteve dhe punëve të mira për kryeqytetin.
Ai tha se bashkia nuk është instrument për të shkatërruar dhe për t’u përleshur me njëri-tjetrin, siç duan ta kthejë opozita. Veliaj ironizoi Berishën kur tha se e do Bashkinë për hallet e tij, për t’i shpallur luftë Amerikës, që e ka shpallur ”non-grata”.
“Një pjesë e politikës, sidomos ata që kemi përballë, thonë na e jepni votën që ta përdorim Bashkinë për të filluar një luftë me Qeverinë. Madje, disa të tjerë shkojnë edhe më larg, duke thënë na e jepni votën se po të jemi të fortë në Bashki do fillojmë një luftë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk e duam Bashkinë, Këshillin Bashkiak dhe votën për Partinë Socialiste as për karshillëk, as për luftë me Qeverinë.
E duam si një instrument që bashkë me Qeverinë të bëjmë punët e mrekullueshme, siç bashkë me qeverinë bëmë shkollat, Pazarin e Ri, Unazën e Madhe, Sheshin Skënderbej, transformuam Parkun e Liqenit, po transformojmë Parkun e Farkës, ndërtuam Bulevardin e Ri. Ne jemi bashkë sepse rrënja e fjalës Bashki është të qenit bashkë me Qeverinë”, tha Veliaj.