Këshilli Bashkiak vendosi për shembjen e godinës 15 në Qytetin Studenti, nxirren nga banesa banorët (VIDEO)
Instituti i Ndërtimit ka shpallur të pabanueshëm Godinën nr.15 në Qytetin Studenti pas dëmeve që janë shkaktuara pas tërmetit të 26 nëntorit.
Godina sipas akt-kontatimit është vlerësuar e pabanueshme dhe me një rrezik potencial pasi ka dëmtime në strukturë dhe për këtë arsye është vendosur që të shembej.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se godinat 15, 18 dhe 19 në Qytetin Studenti do të shemben, pasi kanë pësuar dëme të mëdha.
Ndërkaq banorët mbrëmjen e sotme kanë nxjerrë edhe sendet e tyre me vlerë, nga banesat e tyre, ku siç edhe janë shprehur me hërët për Fax News edhe kishin investuar në ato hyrje ku banonin.
Veliaj deklaroi sot se banorët do të trajtohen me bonus qiraje si te gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti, ndërsa momentalisht do të strehohen në palestrën e shkollës “Ismail Qemali”.
“Të gjithë banorët sipas kurorave familjare që kanë do t’i kalojnë prapë sot pasdite në varësi sa prej tyre, shumica më rezulton që i kanë plotësuar formularët e qirasë, do t’ju kalojmë edhe atyre qiranë si familjet e prekura nga tërmeti, pavarësisht se nuk janë pronarë të asaj godine, pavarësisht se e kanë zaptuar atë godinë, dhe pavarësisht se një pjesë e madhe as nuk paguan detyrimin minimal, ujë, drita dhe qira Qytetit Studenti. Për këto do kemi moment të reflektojmë më vonë. Por në këtë fazë për çëshje imediate, do të zhvendosen tek palestra e gjimnazit “Ismail Qemali”, për shërbimet e ditëve të para, ndërkohë që nga e hëna e në vazhdim, disa prej tyre që sot kanë filluar të gjejnë apartamente me qira, do ju paguhet edhe atyre qiraja, siç do ju paguhet të tjerëve”, tha Veliaj.