Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve ngrin statusin e anëtarësisë së Shoqatës së Bashkive
Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve shprehet e shqetësuar “mbi iniciativën e disa kryetarëve të bashkive, anëtarë të Shoqatës për Autonomi Vendore (ShAV) e cila ka përfaqësuar historikisht bashki të një përkatësie politike, për të kapur dhe uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (ShBSh) pa qenë formalisht anëtarë të saj”.
Reagimi vjen pas përplasjes me Pjerin Ndreut dhe Voltana Ademit për kreun e shoqatës. Ndreu pretendon se është zgjedhur kryetar i Shoqatës, ndërkohë Ademi, kryetarja në detyrë thotë se zgjedhja e tij është bërë nga bashki që nuk janë anëtare të shoqatës.
Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve iu bëjmë thirrje palëve të interesuara dhe dy shoqatave të nisin menjëherë dialogun politik dhe teknik për të arritur një vizion të përbashkët në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe në respekt të legjitimitetit të njëri tjetrit. Deri në zgjidhjen mes palëve Këshilli Europian i Bashkive dhe Rajoneve ka ngrirë statusin e anëtarësisë së Shoqatës së Bashkive.
“Komiteti i Politikave të Këshillit Europian të Bashkive dhe Rajoneve (CEMR) shpreh shqetësim të thellë mbi iniciativën e disa kryetarëve të bashkive, anëtarë të Shoqatës për Autonomi Vendore (ShAV) e cila ka përfaqësuar historikisht bashki të një përkatësie politike, për të kapur dhe uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (ShBSh) pa qenë formalisht anëtarë të saj. ShBSh është anëtare e CEMR prej shumë vitesh.
Vjet, Komiteti i Politikave shqyrtoi kërkesën e ShAV për të qenë anëtare e CEMR. Kjo kërkesë nuk u pranua dhe të dyja shoqatat u inkurajuan të diskutojnë, punojnë dhe përfaqësojnë së bashku në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e qeverisjes vendore në Shqipëri.
Duke pasur parasysh rolin tonë të rëndësishëm në përfaqësimin e qeverisjes vendore europiane dhe shoqatave përkatëse, ju bëjmë thirrje palëve të interesuara dhe dy shoqatave të nisin menjëherë dialogun politik dhe teknik për të arritur një vizion të përbashkët në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe në respekt të legjitimitetit të njëri tjetrit.
Ne jemi në dijeni të proçesit ligjor që po zhvillohet për zgjedhjet vendore të 2019, të cilat u bojkotuan nga opozita. Megjithatë, ne ju bëjmë thirrje të dyja palëve të punojnë për zgjidhje të përbashkët në interes të komuniteteve lokale shqiptare.
Në përputhje me parimet e Kartës Europiane për Autonomi Vendore dhe parimet e CEMR për pluralizëm politik dhe vlera demokratike, ne do të ngrijmë statusin e anëtarësisë së ShBSh deri në gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve.
Shpresojmë që kjo të mundësojë dialog të vërtetë mes drejtuesve politikë dhe shoqatave në arritjen e një zgjidhjeje të përshtatshme në mbrojtje të interesave të qeverisjes vendore në Shqipëri”.