Këshilli i Legjislacionit e ”pason” te Nikolla mandatin parlamenar të Olta Xhaçkës

Çështja e mandatit parlamentar të ministres së Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçkës vijon të mbetet pezull. Këtë të premte, Këshilli i Legjislacionit vijoi taktikat procedurale që zvarrisin në kohë kalimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Socialistja Ermonela Felaj që drejtoi mbledhjen, pranoi se çështja është kthyer në pikën zero. Sipas raportit të mazhorancës, çështja duhet të kalojë në Këshillin e Mandateve, që më pas duhet t’ia kalojë kryeparlamentares Lindita Nikolla për ta dërguar në finale pranë Gjykatës Kushtetuese.

Opozita mendon se hallka e parë është e panevojshme, duke kërkuar që çështja të kalojë direkt në tryezën e Nikollës. Në vend që të ndiqte një nga dy procedurat, Felaj njoftoi se të dyja raportet do t’i kalojnë kryeparlamentares, që do të vendosë më pas cilën rrugë do të ndjekë.

SHKARKO APP