Këshilli Mbikqyrës i BSH ul normën bazë të interesit! Sejko: Pagesat të garantuara! Do përdorim çdo instrument për minimizimin e pasojave

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të ulë në 0.5 % normën bazë të interesit. Vendimi u bë i ditur nga Guvernatori i Bankës Gent Sejko i cili tha se është ulur gjithashtu edhe norma baza e interesit për kredinë 1 ditore nga 1.9% në 0.9 %.

Ndërkohë, Këshilli ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën e interesit për depozitat 1 ditore. Në fjalën e tij, Guvernatori evidentoi se masat merren në kuadër të zbutjes së ndikimit të pandemisë COVID-19 në ekonominë shqiptare.

Përhapja e pandemisë, sipas guvernatorit, janë një sfidë për ekonominë dhe sektorin financiar. Masat e kujdesit shëndetësor, sipas tij, kanë ndikim në aktivitetin ekonomik të vendit.

Në gjykimin e Këshilit Mbikqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likujditetit në bizneset dhe familjet shqiptare.

Ajo ndihmon në funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë duke u dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes. Ky vendim plotëson masat e tjera që kemi marrë për minimizimin e efekteve të pandemisë” tha Sejko.

Në vijim të fjalës së tij, Sejko evidentoi se BSH ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike.

Banka e Shqipërisë ka adaptuar strategjinë operacionale të injektimit të pakufizuar të likujditetit në sektorin bankar. Ky sektor dhe nëpërmjet tij bizneset e familjet, dhe sektori publik, do të kenë mundësi të tërheqin pranë Bankës së Shqipërisë, të gjithë likujditetin e nevojshëm dhe të kërkuar prej tyre” siguroi më tej Sejko.

Po ashtu, Guvernatori evidentoi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi më tej që të lehtësojë procedurat e shtyrjes me një 3 muaj të pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet e prekura nga kriza duke i ofruar sektorit bankar hapësirat e nevojshme rregullatore për ta bërë këtë.

Këto masa, sipas Sejkos, “brenda fushës sonë të kompetencës, mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik”.

Guvernatori shtoi më tej se mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës aktuale dhe në linjë me masat e marra nga bankat e tjera qendrore dhe në varësi të evoluimit të situatës, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjithë instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonomi dhe në sistemin financiar shqiptar.

Në një perspektivë më afatgjatë, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se mesazhet që kemi dhënë në vazhdimësi për shëndetin e ekonomisë dhe sistemit bankar shqiptar, mbeten të vlefshme. 

Më lejoni t’i ritheksoj këto mesazhe:

-Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar

-Parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe sektorit bankar janë të shëndetshme

-Rezervat e likujditet dhe të kapitalit në sektorin bankar janë të larta” tha Sejko në fund të deklaratës.

SHKARKO APP