Këshilli Politik/Kaso: Ndryshimet kushtetuese, llogari elektorale e Ramës
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, thekson se marrëveshja e 5 qershorit nuk është lëshim në favor të opozitës jashtë parlamentit, ndërsa shton se ndryshimet kushtetuese janë vetëm llogari elektorale të Edi Ramës. Për të heqja e koalicioneve nuk është një shqetësim për opozitën jashtë parlamentit.
“Ne kemi miratuar një marrëveshje më 5 qershor dhe ka pasur një dakordësi politike dhe drafti është përcjell për miratim në kuvend, por ende nuk kemi një datë. Ndryshimet e një anshme të propozuara, bien ndesh jo vetëm me draftin e 5 qershorit, por edhe mbi një sërë dispozitash aktuale të Kodit Zgjedhor. Praktikisht, ndryshon i gjithë Kodi Zgjedhor dhe i vihen minat konsensusit të 5 qershorit. Kryeministri duhet të ilustrojë se çfarë përfitoi opozita për veten e saj nga marrëveshja e 5 qershorit. Rama përpiqet ta shesë këtë marrëveshje sikur ishte lëshim i mazhorancës ndaj opozitës. Nëse shohim draftin ligjor, nuk ka asnjë kërkesë të vetme që shkon në dobi elektorale të opozitës. Kryeministri duhet të pranojë se ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare janë një llogari e pastër elektorale e tij dhe të lërë mënjanë retorikën me pseudo hapje listash, pasi shqiptarët e kanë të qartë se me këtë formulë listat mbeten të mbyllura”.