Këshilli Politik, Vasili: PS të mos shkatërrojë konsensusin e 5 qershorit

Mos pranimi i kërkesës së opozitës për asistencën e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore ka sjellë debate në Këshillin Politik. Pas debatit për koalicionet zgjedhore, që çoi në ndërprerjen e mbledhjes, përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Petrit Vasili i LSI-së u shpreh se PS po shkatërron konsensusin e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

Vasili tha se PS nuk mund të bojkotojë marrëveshjet dhe paktet që janë realizuar me ndihmën e ndërkombëtarëve. “Doja që të iu shpjegoj që bëhet fjalë për bojkotimin nga ana e Partisë Socialiste të marrëveshjes së 14 janarit dhe të 5 qershorit. Kërkesa parimore e opozitës së bashkuar është një kërkesë që ndërton konsensus, ndërton dialog dhe ruan frymën e 14 janarit që prodhohej dhe dokumenti shumë të rëndësishëm dhe marrëveshja e 5 qershorit.

Sot jemi para faktit, ne shpresojmë shumë dhe jemi këtu me durim dhe do vazhdojmë të jemi me durim të presim që Partia Socialiste të mos bojkotojë në mënyrë përfundimtare, në mënyrë të njëanshme, të shkatërrojë konsensusin e 14 janarit dhe 5 qershorit dhe të shënojë së paku një rekord të ri pozitiv kundrejt ngjarjeve shumë të rënda, të miratimeve të njëanshme që ajo ndërmori në 30 korrik”,- tha Petrit Vasili.

Nënkryetari i LSI-së tha se Këshilli Politik nuk mund të funsionojë me modelin e Parlamentit një partiak. “Pra ky është thelbi i gjithë problemit dhe besojmë që është moment i rëndësishëm për të reflektuar për partinë Socialiste, për të mos u zhytur edhe më thellë në logjikën e njëanshmërisë e cila e polarizon shoqërinë, nuk ndryshon fatet elektorale të Partisë Socialiste të cilat janë pa kthim dhe humbëse, por do ti ruante vendit gjithsesi një tensionim social dhe politik krejtësisht të panevojshëm për shkak të kësaj sjelljeje të Partisë Socialiste”,- deklaroi Petrit Vasili.

Mbledhja e sotme u ndërpre për shkak se opozita nuk pranoi të diskutojë mbi draftin e paraqitur ne Këshill nga mazhoranca, ndërsa kjo e fundit nuk tregon asnjë shenjë negociimi për këtë draft. Opozita thekson se mbetet e palëkundur në ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore pavarësisht se PS tashmë ka një draft në tryezën e Këshilli Politik.

SHKARKO APP