Këshilltari i Nishanit Çukos: Gjej ndonjë nga Lushnja ta trembësh

Këshilltari i Bujar Nishanit, Piro Ahmetaj, vazhdon replikat e ashpra ndaj deputetëve të mazhorancës.

Këtë radhë ai i është përgjigjur deputetit Arben Çuko, të cilin tha se do ta hedhë në gjyq, pasi Çuko një ditë më parë u shpreh se Ahmetaj ka qenë spiun i Sigurimit të Shtetit.

“Në lidhje me një akuzë publike të bërë dje nga shtetasi Arben Çuko si “spiun i Sigurimit të Shtetit” dëshiroj të bëj prononcimin e mëposhtëm: Pinjolli i bllokmenes-kooperativiste, derivat i shpërdorimit dhe një mediokër për t’u mëshiruar për dalldisjen e radhës në adresën time, do të përballet në Gjykatë me ligjin për ‘shpifje dhe denigrim! Jo për Çuko­t, as për ata që kanë keqgënjyer të zinë, por për respekt të mijëra të interesuarve, konfirmoj publikisht se ‘nuk kam qenë kurrë spiun, as me dosje, dhe as me pseudonim!’”, shprehet Ahmetaj .

“Për të gjithë të shqetësuarit & interesuarit, konfirmoj se në 15 vitet që lamë dhe për 5 vitet në vazhdim (deri 2020) jam i vetuar (pastërtia e figurës) dhe për rrjedhojë jam pajisur me çertifikatën e nivelit më të lartë (Top Secret) për brenda vendit, në NATO dhe BE! dhe shtoj se certifikimi në kohën e ushtrimit të detyrës në NATO është konfirmuar edhe nga 27 vendet anëtare”, shkruan gjeneral Ahmetaj.

Ai akuzon mazhorancën edhe se po e sulmojnë atë për detyrën që ai mban në Presidencë.

“Sa për kërcënimet, i them rilindësit të ndritur/trimëruar, të gjejë ndonjë nga “Lushnja për të trembur” dhe të mos të “vetëplagosë veten” si derivat i keqshpërdorimit politiko-­propagandistik! Nënvizoj fort se ky prononcim, statusi korrekt (jo i manipuluari) dhe reagimi te “Panorama” datë 14.09.2015, nuk ka asnjë lidhje me funksionin zyrtar dhe gradën ushtarake që përfaqësoj, siç ustallarët djallëzisht mundohen ta keqdeformojnë dhe instrumentalizojnë me arrogancë staliniste”, thotë Ahmetaj. 

SHKARKO APP