Këshilltari i Presidenti Meta në Komisionin e Medias: Paketa “Anti-Shpifje”, e rrezikshme!

Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik po diskuton dekretin e Presidentit të Republikës për paketën anti-shpije. I pranishëm në komision është edhe këshilltari ligjor i Presidentit Meta, Bledar Dervishaj, i cili në fjalën e tij u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.

“Një pjesë e dispozitave të ligjit janë hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik”,- tha Dervishaj.

Këshilltari i Presidentit shtoi se “këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situate e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”.

Më poshtë janë edhe arsyet e kthimit të ligjit nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të bëra publike më parë nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

“Presidenti i Republikës vlerëson se ky ligj nuk i përgjigjet nevojave të zhvillimit dhe pritshmërive të publikut dhe komunitetit të gazetarëve dhe medias, si dhe nuk garanton mirëfunksionimin e tyre.

Ky ligj, për shkak të këtyre dispozitave shumë problematike, jo vetëm që nuk sjell rregullimin e pritshëm, por për disa çështje thelbësore ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese.

Çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë, kanë vendosur të ndërtojnë jetën e tyre.

Vendosja e medias në këtë moment nën trysninë e mekanizmave ndëshkues arbitrarë, tregon se gjithë parashikimet e ligjit nr. 91/2019, nuk janë frut i një vlerësimi të cekët të qeverisë dhe të Kuvendit, por një qëllim i qartë me synim vendosjen nën kontroll të medias së lirë dhe minimizimit të zërit kundër dhe kritik.

Pikërisht në kushtet kur mazhoranca aktuale ka mundur që të monopolizojë thuajse të gjithë pushtetet legjislativ, ekzekutiv, pushtetin vendor dhe po bën të gjitha përpjekjet për të vendosur nën kontroll politik sistemin e drejtësisë, mbajtja e pandikuar dhe larg kontrollit e medias së lirë, nuk është vetëm një interes publik, por një mision në drejtim të së ardhmes së vendit dhe ruajtjes së vetë demokracisë.

Presidenti i Republikës, ka ndjekur me shumë vëmendje reagimet e gazetarëve vendas dhe ndërkombëtarë, që e kanë konsideruar median, si degë të katërt të qeverisjes apo “pushtet i katërt”, dhe që në shoqëritë demokratike ka rolin e kërkuesit të llogarisë ndaj pushtetit ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor.

Gjithashtu ekspertë të ndryshëm kanë ngritur shqetësimin që përmes vendosjes së gjobave, ligji i shkurajon dhe pengon krijuesit dhe financuesit e portaleve on-line që të vijojnë aktivitetin e tyre. Dhe pas marrjes në analizë të dispozitave të ligjit lidhur me sanksionet, ky shqetësim është real dhe evident.

Parashikimet e ligjit nr. 91/2019, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nuk janë frymën dhe parimet e vendosur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Për këtë Kuvendi duhet të rihapë edhe një herë procesin e konsultimit publik të këtij ligji dhe reflektimin mbi sugjerimet dhe qëndrimet e aktorëve të interesuar.

Nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:

  • Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
  • Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
  • Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
  • Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias.

Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë.

Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurt ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.

Mekanizmat jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave online që janë kritike me punën e qeverisë. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimmarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës.

Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, çka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë.

Një situatë e tillë do e vendoste vendin në kufirin e një autoritarizmi, që do të përbënte rrezik për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë, si edhe ekzistencën e vetë demokracisë funksionale në vend.

 

SHKARKO APP