Këshilltari i Presidentit francez: Macron do të heqë dorë nga bllokimi i negociatave pas pajtimit në BE
Në bisedë me gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (numri i sotem), Clément Beaune, këshilltar për çështje europiane i presidentit francez, Emmanual Macron, paralajmëron se Parisi e ka ndërmend të heq dorë nga bllokimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kjo, sipas Beaune, do të bëhet sapo të arrihet pajtimi mbi planet reformuese të BE-së sa i përket zgjerimit.
Këto plane pritet të prezantohen së shpejti. Clément Beaune më tutje tha:
«Ne vetëm do të jemi kundër që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të trajtohen ndaras. Kjo do të ishte në kundërshtim me dëshirën tonë për të stimuluar stabilitetin në rajon». (Brenda BE-së ka pasur shtete që kanë lobuar për të filluar bisedimet me Shkupin dhe për të lënë anash Tiranën).
Lajmit të mirë nga Parisi i ka paraprirë një lajm i keq: Ministria e Jashtme e Gjermanisë e ka ndryshuar formulimin sa i përket të ardhmes europiane të vendeve të Ballkanit.
Në Berlin nuk flitet më për «procesin e anëtarësimit në BE», por vetëm për «procesin e afrimit me BE-në».
Ky është një dallim i madh, shkruante ditë më parë «Frankfurter Allgemeine Zeitung»./ tema