Keta: Votimi, deri tani asnjë incident në universitete
Drejtuesja e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitete, Majlinda Keta tha sot për mediat se procesi po zhvillohet normalisht dhe se nuk ka pasur asnjë incident deri tani.
“Procesi i votimit ka një mbarëvajtje normale deri tani dhe është konstatuar se ka pjesëmarrje të lartë në votim tek Fakulteti Ekonomik, Histori-Filologji, Fakulteti i Drejtësisë, Shkencave Sociale etj. Po ashtu, bazuar në informacionet e para, ka të dhëna që 1/3 e stafeve akademike kanë votuar duke marrë parasysh edhe angazhimin e tyre në mësim sot”, tha Keta.
Më tej, ajo shtoi se “vetë drejtori i Policisë, Haki Çako dhe Policia e Shtetit po qëndron në gatishmëri për mbarëvajtjen e procesit të votimit. Në qendrat e votimit janë të pranishëm edhe vëzhgues mes të cilëve persona të zgjedhur nga kandidatë dhe Këshilli Rinor i Ambasadës së Shteteve të Bashkura të Amerikës”.
Të gjithë studentët me kohë të plotë bachelor dhe master kanë të drejtën e votës sot, për Rektor, Dekan dhe Senat Akademik për përfaqësuesit e studentëve. Kjo do të thotë që studentët janë pajisur me 3 fletë votimi.
Gjithsej, janë 33 qendra votimi në të gjithë Universitetin e Tiranës ndërkohë që votimi është hapur në orën 8:00 dhe mbyllet në orën 16:00.
KOHA JONË SONDAZH

