Këtë fundvit më pak të amnistuar, ja kategoritë që përfitojnë

Brenda dhjetorit qeveria shqiptare do të miratojë projektligjin për amnistinë e të burgosurve. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka paralajmëruar se do të ketë më pak kategori që do të përfitojnë krahasuar me faljen e vitit 2016 kur dhe u miratua nisma më e fundit.

Etilda Gjonaj: Ministria e Drejtësisë e ka depozituar propozimin e saj në Këshillin e Ministrave dhe Këshilli i Ministrave do ta miratojë ditët në vijim, duke përfshirë të gjitha kategoritë që ne i kemi pasur më shumë prioritet, sic janë gratë, të miturit dhe të moshuarit. Ende nuk ka një përllogaritje përsa kohë është i ndryshueshëm numri dhe lidhet me disa kritere që kanë të bëjnë me vitet e mbetura të dënimit të pakryer apo dënimit të marrë nga gjykata, por është një numër, pak më i vogël në krahasim me amnistitë e kaluara.

Qëndrimin ministrja Gjonaj e ka bërë pas diskutimeve në komisionin e ligjeve ku prezantoi ndryshime në ligjet për vuajtjen e dënimeve në burgje. Gjonaj u shpreh se miratimi do të pasohet me implementimin e sistemit 41 bis.

Ministrja ka pranuar se mes punonjësve të burgjeve ka individë të korruptuar, por ajo theksoi se duhen ndryshime rrënjësore në trajtimin financiar dhe atë profesional.

SHKARKO APP