Kiço Blushi, ikja e trishtë e një brezi që la gjurmë
In memoriam Kiço Blushi.
Zbres poshtë me vrap. S’kam parë kurrë kaq shumë lule dhe kaq të bukura. Shumica janë të verdha, por ka dhe të kuqe edhe si ngjyra e trikos së mamit, bojë manushaqe. Mbledh një tufë duke zgjedhur më të bukurat e më të mirat. Këto nuk janë si lulet e vazove që kemi në ballkon e mami nuk të lë t’i zësh me dorë. Këtu mund të këputësh sa të kesh qejf e s’të ndalon asnjë kopshtar ose roje. Ah, sikur të ishte mami këtu, unë do t’ia jepja këto lule, asaj do t’i bëhej shumë qejfi. Pastaj do të merrte një vazo, do ta mbushte shpejt e shpejt me ujë e kujtdo që të vinte për vizitë, do t’i thoshte: “Këto lule m’i ka sjellë dhuratë Beni! Shikoni sa të bukura janë! I mblodhi për ditëlindjen time!”
“Beni ecën vetë”, Kico Blushi
Emocionet e hershme që një shkrimtar a krijues të ka dhuruar me veprën e tij kanë fatin e mirë të mos humbasin kurrë. Jo pse janë të parat shkëndija ku ti je ndjerë njësh me të, por se mundësia e rikthimit të tyre udhëhiqet nga një kujtesë intime në castin e parë që la gjurmë, për shenjën simbolike të shkrimit, për ëndërrimet e fshehura në errësirën e gjumit, apo dhe për grishjen tunduese të rigjetjes së tyre, si të një dashurie të parë. Ishte gazmendi që më përfshiu teksa i kthehesha edhe njëherë këtyre rreshtave, në ndjesinë time të parë prej romanit “Beni ecën vetë” të shkrimtarit K. Blushi. Që atëherë kish kaluar shumë kohë, por më duhet ta pranoj se e rigjeta veten sërish qetësisht, si atëherë.
Krijimi dhe vepra që lind prej shkrimtarit është njëkohësisht krijimi i një bote të re, një art që guxon me një gamë të re ngjyrash, me gjuhë, jetë dhe histori duke lënë pas mite e fate të cilat kthehen tek lexuesi si pikëtakime referenciale të patjetërsueshme në jetën e tij.
Ishte letërsia e viteve ’60, atëherë kur Shqipëria po njihte një mobilitet të vazhdueshëm në kapilarët e cdo qelize të saj. Ishte koha kur letërsia ishte kthyer në cështje shtetërore dhe raportet e shkrimtarit me pushtetin, të lirisë me kufizimin, të krijmtarisë me kontrollin ishin raporte që gjykoheshin në bazë të letërsisë që këta shkrimtarë bënin. Dhe këtu nuk ishte fjala për letërsi për përdorim, apo letërsi qëllimore, aq më pak për letërsi të porositur. Bëhej fjalë për shkrimtarë të cilët bënin letërsi që krijonin zonë ndikimi, që faktorizohej si vlerë emancipimi që rrezikonte të ndërhynte e të infektonte edhe botën reale. Ndaj prej kësaj frike, atëkohë autoritetet shtetërore sado propagandonin kinse zhvillim, progres dhe emancipim zhvilluan në të njëjtën kohë një veprimtari të pandërprerë mbikqyrjeje ndaj letërsisë, sidomos ndaj disa emrave më në zë të saj dhe në kushtet kur në Europë por edhe në mjaft vende të Lindjes u shfaq një klimë zbutjeje e cila pak nga pak mori karakterin e një dukurie të përbotshme të paskajuar.
“Brezi 1968” kishte tronditur botën. ‘Beatles’ kishin kënduar “Let it be!”, duke përmbysur dilemën pesëshekullore të Shekspirit “To be or not to be!” Ndërsa në Francë dhe Gjermani kishin shpërthyer lëvizje masive studentore dhe qytetare. Ky ishte brezi që tronditi botën me frymën e përgjithshme refuzuese, që pati ndikimin e vet në kulturën shqiptare në tërësi dhe në letërsinë shqipe vecmas. Ndonëse me një vonesë relative letërsia erdhi u bë një faktor ndikues në jetën shpirtërore të shoqërisë. Në plejadën e artistëve shqiptarë prej dhjetra e dhjetra të talentuarish që i njohëm nga krijimet e tyre por dhe ndër ata që nuk arritën dot të kryheshin për arsye të rrethanave politike, do të ishte edhe Kico Blushi. Botimet e tij të hershme në vjersha dhe poema si “Mirëmëngjes!” (1967); në drama si “Çatia e të gjithëve”, “Andrea”, “Midis dy njerëzve” (1971); në novela dhe tregime si “Fejesa televizori” (1971) si dhe romane “Vdekja e një nate” (1971) , “Beni ecën vetë” (1976) etj., do të pasoheshin prej një vargu botimesh të tjera, kryesisht në tregime dhe novela të cilat ne do t’ua publikojmë më poshtë.
Blushi është konsideruar pa droje si një shkrimtar protagonist i brezit të ndryshimit modernizues në letërsinë shqipe, prozator përfaqësues, skenarist me rol të shquar në historinë e kinemasë shqiptare, me filmat e të cilit si “Beni ecën vetë”, “Nëntori i Dytë”, “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 36”, “Në shtëpinë tonë” e plot të tjerë me të cilët janë rritur dhe edukuar breza të tërë. Me tregimet dhe novelat e tij në formën e një rrëfimi emancipues ai është renditur ndër ata shkrimtarë dhe publicistë që lexuesin e vë në mendime. Jo vetëm si një vepër letrare por dhe si një akt kulturor. Me stilin e tij të rrëfimtarit, Blushi u bë pjesë atij brezi që prishi status quo-në e trashëguar në letërsi dhe në lëvizjen e mendimit. Pas thuajse 45 vitesh, romani “Beni ecën vetë” lexohet ende me nostalgjinë e rrëfimit, ashtu si i jepemi një dashurie të madhe, pa kushte dhe të pambrojtur ndonëse prej nostalgjisë botimi ose ribotimi i tyre ka kaluar sprovën e heshtur të një droje delikate, të një stepjeje fisnike.
Kështu erdhi për lexuesin e vogël në ato fillim vite ’70, K. Blushi, si një sprovë për një letërsi të re, ku tregimi më i hershëm qëndron pa iu këputur filli me atë të fundit.
Botime:
Sonte dhe nesër në mengjes : vjersha dhe poema, Tiranë: Naim Frashëri, 197
Lezja. Gomat me ar: drama, 1977
Portreti: tregime e novela, Tiranë: Naim Frashëri, 1977
Pajtoni i fundit: roman, Tiranë: Naim Frashëri, 1979
Mëngjesi i një hëne (tregime dhe novela), Tiranë: Naim Frashëri, 1980
Vite mbi supe: novela, Tiranë: Naim Frashëri, 1984
Pengu: tregime e novela, Tiranë: Naim Frashëri, 1986
Tregime e novela të zgjedhura, Tiranë: Naim Frashëri, 1989
Koka e prerë: roman, Tiranë: Naim Frashëri, 1990
Më shiko në sy : roman, Tiranë: Naim Frashëri,1990
Brezi i lëshuar: roman, Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1994
Mos! : roman, Tiranë: SHBLSH e Re, 2010
Gjuha e gjakut: roman, Tiranë: Naimi, 2014
Monika Stafa /Top Channel/