Kikia: Suksesi i vetëm i këtij parlamenti është miratimi i ligjeve, të tjerat duhet të fshihen nga historia
Parlamenti shqiptar ngriti siparin për sesionin e ri këtë të hënë (7 shtator). Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi në fjalën hapëse të tij, e cilësoi sukses sesionin e kaluar duke përmendur dhe disa prej arritjeve.
Por për gazetarin Mentor Kikia, i vetmi sukses i parlamentit është miratimi i ligjeve.
Në një intervistë për RTV Ora ai është shprehur me kritika ku përmendi largimin e deputetëve opozitarë dhe vendosjen në krye të atyre që ai i cilësoi me nivel të ulët intelektual.
Kikia: Duhet të kesh indikatorët për të matur suksesin. Unë do thoja se kjo legjislaturë është për tu harruar dhe për tu fshirë nga historia duke mos fshirë çdo punë të mirë që mund të jetë bërë. Duhet për shkakun se ky është parlamenti që u braktis nga opozita me apo pa të drejtë, ky është parlamenti që ka në përbërje nivelin më të ulët intelektual të anëtarëve të zëvendësuar si opozitë. Një pjesë e konsiderueshme e deputetëve u larguan pasi prekeshin nga ligji i dekriminalizimi ishin persona të implikuar në krime. Për ta konsideruar këtë të suksesshëm unë nuk do ta quaja përveçse rolit në miratimin e ligjeve. Besoj që nuk ka patur ndonjë sukses pasi ka dritëhije të shumta pasi ka dhënë votën për ligje që kanë rënë ndesh me shoqërinë. Në këtë kuadër unë i bashkohem asaj që thotë opozita për korruptimin e legjislativit si forma më e egër dhe e lartë e korruptimit të shtetit në një shoqëri. Mendoj se data e zgjedhjeve duhet të vinte sa më parë për ta fshirë këtë parlament nga ekzistenca aktuale për ta lënë si një njollë të zezë në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Kikia u shpreh se dhe qytetarët tashmë janë të lodhur dhe kërkojnë ndërrimin e qeverisë.
Ai thotë se shumica nuk kërkon thjeshtë ndërrimin e partive politike por ndryshimin në organikë të parlamentit.
Kikia: Po të pyesim qytetarët shqiptarë jam i bindur që shumica prej tyre kërkojnë ndërrimin e qeverive dhe mendoj se kjo nuk ka të bëjë me ndërrimin e një force politike më shumë se sa me ndërrimin e deputetëve në atë parlament. Sigurisht ka dhe nga ata qytetarë që kërkojnë që Rama të marrë një mandat të tretë. Një mandat i tretë e superkonsumon një klasë politike në Shqipëri dhe mbi të gjitha nuk besoj që llogaritë dalin mirë për të mandatuar për herë të tretë. Po të njëjtët qytetarë që kërkojnë largimin e kësaj qeverie nuk shohin një grupim politik frymëzues me programe të qarta ekonomike për të zëvendësuar qeverisjen. Jo thjesht ndërrimin e qeverisë së PS-së me PD-në pasi në fund të fundit këto kanë qenë dy forcat kryesore ndër vite.
Teksa na ndajnë disa muaj nga zgjedhjet parlamentare, palët politike kanë ndezur motorët e fushatës ku PS ka zgjedhur drejtuesit politikë nëpër qarqe ndërsa PD vijon me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë.
Por për Mentor Kikia shtrimi në kohë të gjatë i fushatës zgjedhore është një mbingarkesë për qytetarët duke theksuar këtu dhe situatën që vendi po kalon me koronavirusin dhe impaktin që ka pasur ajo.
Kikia: Ne kemi zgjedhje çdo dy vite pasi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore janë më vete. Mua më duket sikur jemi gjithë kohës në zgjedhje. Sapo një qeveri merr pushteti merret gjithmonë me ngritjen lartë të propagandës së tyre për të ngritur adrenalinën. Nuk është normale pasi zgjedhjet janë në prill dhe nisja e fushatës që në shtator është mbingarkesë për qytetarët pasi në njërin krah është pandmia, fillimi i shkollës, situata në spitale, rrogat puna. Njëra palë do fillojnë të propagandojë sukseset ndërsa pala tjetër do të gjejë ato kanalet që nuk janë mbyllur. Shtrirja në kohë e fushatës është një ngarkesë aq e madhe, nuk do të duhej të ishte.