Kisha e Kastriotit në Kallmet të Lezhës

Nga Mark Gjon Zefi

Tek udhëton nga qyteti i Lezhës për në Kallmet, i gëzohesh panoramës së mrekullueshme që shfaqet para teje në fshatrat Mërqi, Rraboshtë e Kallmet: ndërtesa të reja dy a më shumë katëshe në të dyja anët e rrugës, të ndërtuara me projekt, me oborre plot me lule e pemë dekorative, me parcela të mbjella me ullinj e vreshta që shtohen nga viti në vit me punën e përkushtimin e fermerëve të kësaj zone, me tufat e dhive e të dhenve që i ngjitën malit, çka të përcjell entuziazmin e një jete të re, që përshpejton të begatohet çdo ditë.

Mbresat për risitë zhvillimore të kësaj zone në këto vite do të ishin të shumta, por do t’i shmangim ato për të sjellë në fokus të këtij shkrimi një ish-objekt kulti, Kishën e Kastriotit. Në të dalë të Rraboshtës, rrugës për të hyrë në Kallmet, në të djathtë, ngrihet Mali Kastriot, Qafa Kastriot e Kisha Kastriot që, aty-këtu, ndonjë vendas e shqipton “Kastenjot”. Në malin Kastriot (Kastenjot), në anën perëndimore të lagjes Kepsh të fshatit Kallmet, ndodhej dikur një kishë që edhe sot njihet me emrin “Kisha e Kastriotit” (e Kastenjotit). Studiuesit Gëzim Hoxha, Luan Përzhita e Flavio Cavallini, autorë të librit “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës” (Lezhë, 2007), për kishën e Kastriotit, f aqe 49, shkruajnë: “Vendi i kishës është një shesh i vogël në mes të një qafe malore, që quhet “Lugu i Kastriotit”. Banorët e kësaj lagjeje nuk janë autoktonë, por të zbritur nga fshati malor i Velës. Këta banorë pohojnë se kujtojnë vetëm rrënojat e kësaj kishe. Po ashtu në majën kundruall Kastenjotit ekzistojnë gjurmët e qelës së priftit dhe disa varre pa identitet. Nga verifikimi i bërë në vend rezulton se nga gërmadhat e kësaj kishe nuk ka mbetur pothuajse asgjë. Vetëm disa konture themelesh, me lartësi 0.10 m, të ruajtura kryesisht në anën verirore të kishës dhe tek absida, si dhe në murin jugor, na dhanë mundësinë për të bërë një skicë planimetrike të përafërt të saj. Ajo duket se ka qenë një kishë njënefëshe, me përmasa afërsisht 7×12 m. Në anën veriore mund të supozohen gjurmët e një hyrjeje, pasi vendi është më i ulët. Kjo gjendje planimetrike e kishës na kujton një skemë të njëjtë me planimetrinë e kishës së Shën Pjetrit në fshatin Rrenc.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vendosja topografike e kishës mbi kodrën e Kastenjotit shkon në një linjë pothuajse horizontale në verilindje me kishën e Shën Eufemisë së Kallmetit dhe me kishën e Shën Gjon Kryepremit të Mërqisë, në jug të saj. Tradita vendase ruan kujtimin e një rruge këmbësore që lidhte këto fshatra me njëri-tjetrin”. Studiuesit Hoxha, Përzhita e Cavallini shprehin mendimin se kisha e Kastriotit (Kastenjotit) mund të jetë ngritur para shekullit XV. Burimet e njohura historike nuk thonë asgjë për kishën e Kastriotit. Studiuesi kallmetor, Evaristo Coli, në librin “Kallmeti, fakte e gojëdhëna”, botuar më 2014, botime “Albania”, shkruan: “Ajo është quajtur kisha e Kastriotit… ndodhet në majën e malit Kastriot që lartësohet ndërmjet Kallmetit e Rraboshtës…” , f.33 dhe “Maja Kastriot” te kapitulli “Toponime”, f. 257. Gjithsesi varianti “Kastenjoti” duhet të jetë një shqiptim jokorrekt, që është pasqyruar edhe në shkrim, siç ndodh shpesh në shqiptimin e toponimeve. Shqiptimi i saktë dhe real duhet të jetë varianti “Kastrioti”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Është fatbardhësi që studiuesit e mësipërm, në punimet e tyre, e kanë evidentuar këtë fakt të rëndësishëm për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare, paçka se nuk e kanë lidhur, nuk i janë referuar familjes së Kastriotit, Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Toponimet “Mali i Kastriotit”, “kisha e Kastriotit”, lidhen me dinastinë e Kastriotëve, madje, kisha e Kastriotit, mendoj se është unike, nga informacioni i derisotëm, që një objekt kulti, kishë, të quhet kisha e Kastriotit. Është shkruar për kishën e Vaut të Dejës e të Ardenicës si kisha ku Gjergj Kastrioti ka vënë kunorë me Donikën, të shoqen, për fshatra, fusha, shkëmbinj, gurë etj. në Mat, Has, Dibër, Krujë, që në një formë a në një tjetër i referohen Skënderbeut a dinastisë së Kastriotëve. Prandaj kisha e Kastriotit në malin me të njëjtin emër mbi Rraboshtë e Kallmet, zgjon interes të veçantë. Lezha, nga historiografia, ndër të tjera, njihet si vendi i Besëlidhjes më 2 mars 1444 nën drejtimin e Gjergj Kastriotit, si vendvarrimi i Gjergj Kastriotit në janarin e vitit 1468 dhe kaq. Dihet se edhe një klerik i lartë, ipeshkv kallmetor, Frang Bardhi, do të shkruante më 1636 “Apologjinë e Skënderbeut” në mbrojtje të origjinës shqiptare të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeut, duke hedhur poshtë pretendimet e priftit boshnjak Tomko Marnaviçit.

Më shumë se kaq, studiues të ndryshëm kanë argumentuar e argumentojnë se familja e Kastriotëve është me origjinë nga Kastra e Vigut të Mirditës, në periferi të rrethit të Lezhës me ndarjen e sotme administrative. Për origjinën e familjes së Kastriotëve tërheq vëmendjen pohimi i Zef Jubanit(1818-1880), te parathënia e “Historisë së Skënderbeut”, dorëshkrim, zbuluar dhe indentifikuar nga Jup Kastrati dhe Dhimitër S. Shuteriqi. Aty Jubani shkruan: “Unë ja kam qitë nji kangë Shqypnisht, për sa mendja ime m’ka vjeftun e ktu po e shkruej, që t’ja këndojmë në lavd të tij. Leu një hyll në Shqypni, me na shndritë, me na drejtue me shum die e me trimni andej Kastrit asht shenjue: Gjergj Kastrioti këtij i thonë, Skander – Beg shumkush e donë.” (Revista “Nëndori”, 12/1955, f.154.) Në romanin historik të dom Nikoll Mazrrekut, “Me flamujt e Kastriotvet”, botime Albanologjike, 2012, që “…është romani më voluminoz që është shkruar ndonjëherë për Skënderbeun në gjuhën shqipe… Ai na jep një panoramë shumë të gjerë dhe të detajuar të botës së Skënderbeut.”, shkruan Dr. Edmond Malaj në parathënien e këtij romani, f.11,12. Ndër shumë fakte e ngjarje të tjera, Dom Nikoll Mazrreku me një stil elegant, me një gegërishte të ëmbël letrare dhe me një erudicion të jashtëzakonshëm, shkruan në librin e lartpërmendur: “ Nen Merqinje, aty ku kodrat përzihen me fushën, Skanderbegu kishte ngrehë një kamp ushtarak, prej ku kërcnote Lezhën, e do ta sulmote po mos të kishte mrri prej Raguze Gjunjo Petroza, ambasador i Gjon Huniadit… Kur erdh ambasadori i Huniadit, ndodhej te Kastrioti plaku i ditun e i nderuem Gjerazëm Ralni, që msote retorikë në Kastër të Vigut”, f. 256-257. Bëhet fjalë për vitin 1448. Pra janë edhe këto fakte që na japin të drejtë për të pohuar se mali mbi Rraboshtë e Kallmet dhe kisha mbi atë mal, janë mali i Kastriotit dhe kisha e Kastriotit. Ky fakt duhet të bëhet objekt i studimeve historike dhe për kishën e Kastriotit arkeologjia duhet të thotë fjalën e saj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?