”Kisha pirë tullumbace”, shoferi që ”fluturoi” mbi liqen në kërkim edhe për dhunë: Isha me 180 km/h

Emiljano Nina, shoferi i automjetit BMW X6, i cili ”fluturoi” në muajin gusht te Diga e Liqenit që shokoi opinionin publik, u arrestua pas një aksioni të uniformave blu. Policia e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar, dha detaje për arrestimin e 28-vjeçarit, i cili u kap në zonën e 5 majit në Tiranë.

Tashmë i vënë në pranga, para efektivëve ai dëshmoi se ishte duke udhëtuar me 180 km/h dhe se ka humbur arsyen në një moment duke mos kontrolluar dot automjetin, pasi kishte pirë tullumbace me oksid azoti, lëndën e rrezikshme që autoritetet në Shqipëri po përpiqen të gjejnë hapësirat ligjore për ta ndaluar.

Nina i cili është kushëriri i Ervis Martinajt, braktisi mjetin luksoz dhe mori targat e tij me vete, ndërsa deri të enjten ndodhej në arrati. Kujtojmë se aksidenti ndodhi pasi mjeti ishte duke lëvizur me shpejtësi të lartë nga rruga e ”Kosovarëve” dhe përfundoi në digën e liqenit.

Emiljano Nina ishte në kërkim edhe për dhunimin e të dashurës, ku gjykata e kishte dënuar në mungesë me 8 muaj burg. Ai tashmë do të përballet me 7 akuza, dhe veç shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor do të përballet edhe me akuzën e shkatërrimit të pronës, për shkak të dëmeve te liqeni.

SHKARKO APP