Kishin ndërtuar pa leje në plazh. IKMT u shemb objektin dhe marrin 20 milionë lekë gjobë
Kontrolle të shtuara janë bërë në zonën bregdetare, nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT).
Në fshatin Rinia, u konstatua një rast i zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje, ku u proceduan penalisht 3 shtetas.
Policia njofton se në bashkëpunim me IKMT-në, u shemb objekti i ndërtuar pa leje dhe u vendos masë administrative 20 milionë lekë të vjetra.
“Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, në fshatin Rinia, kanë konstatuar një ndërtim të paligjshëm (rikonstruksion të lëvizshëm), në një sipërfaqe toke, pronë publike plazh.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. Sh., 28 vjeç, A. M., 41 vjeç dhe A. M., 31 vjeç.
Gjithashtu, në bashkëpunim me IKMT-në, u shemb objekti i ndërtuar pa leje dhe u vendos masë administrative 20 milionë lekë të vjetra.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm””, thuhet në njoftimin e policisë.