“Kjo është vala e dytë”/ Akademiku Merkoçi: Covid-19 kërkon bashkëpunimin e të gjithë sektorëve
Akademiku Arben Merkoçi, në një lidhje me Skype nga Spanja, ka treguar për shikuesit e Ora News situatën me Covid-19 në shtetin iberik.
Sipas tij, në rajone të ndryshme të Spanjës, ka masa të ndryshme, ndërsa shtoi se në Katalunjë, për një afat prej dy javësh, janë mbyllur baret dhe restorantet.
Akademiku shtoi se kjo është vala e dytë e virusit, ndërsa shpjegoi edhe rëndësinë e investimeve në shumë sektorë, kryesisht në shëndetësi, shkencë dhe teknologji.
“Kjo pandemi ka treguar rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha sektorët. Të gjitha efektet që ka kjo pandemi, ajo çka po jetojmë, kërkon bashkëpunimin e të gjithë sektorëve. Unë po marr sektorin e shëndetësisë, sektorin e shkencës. Një nga mësimet që nxorrëm dhe po nxjerrim nga kjo pandemi është fakti se ka shumë nevojë për investime akoma më shumë në sektorin e shëndetit publik dhe ajo që ka shumë rëndësi gjithashtu dhe unë jam më shumë në dijeni, në sektorin e shkencës dhe teknologjisë“, tha Merkoçi.
Aktualisht, Spanja numëron 982,723 të infektuar dhe 33,775 viktima.