KLD: Alaudin Malaj lë bosh kryesimin e Gjykatës së Apelit Tiranë

 

Gjyqtari Alaudin Malaj ka mbyllur mandatin e tij në krye të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të shpall sot vakant pozicionin në fjalë.

Nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot mbledhjen plenare, e cila nisi me diskutimin mes anëtarëve për caktimin e përkohshëm të kandidatëve për magjistratë, të cilët kanë përfunduar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës 2014-2015, profili gjyqtar, për të kryer stazhin profesionalsi gjyqtarë në gjykata të rretheve gjyqësore.

Më pas mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës së Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, për miratimin e listës së gjyqtarëve pjesëmarrës në Programin e Trajnimit Vazhdues, për periudhën 2015-2016, në Shkollën e Magjistraturës.

Mbledhja vijoi me shpalljen e vendit vakant për funksionin drejtues të kryetarit të gjykatës, në Gjykatën e Apelit Tiranë, për shkak të mbarimit të mandatit në këtë funksion, më datë 13.02.2016, të kryetarit aktual Alaudin Malaj.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për autorizimin për mësimdhënie të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Florjan Kalaja si dhe vendosi konstatimin e mbarimit të mandatit 5-vjeçar për një inspektor të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm; Gjyqtar Aleks Nikolli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër; Gjyqtar Artan Çupi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat; Gjyqtar Selim Kryeziu, Gjykata e Apelit Shkodër; Gjyqtare Luljeta Kolonja, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec; Gjyqtare Valbona Vata, Gjykata e Apelit Shkodër; Gjyqtare Valbona Durraj, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër.

Gjithashtu, në fund të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

SHKARKO APP