Klea Rama, mbesa e ”kryeministrit” që mashtronte me bursat. Zbardhet skema që u përdor
Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë personin që mashtroi gjimnazistët dhe që para tyre ishte prezantuar si Klea Rama, mbesa e kryeministrit Edi Rama. 20-vjeçari Ermes Hoxhalli banues në Devoll qëndron pas kësaj skeme, i cili iu premtoi nxënësve bursa studimi në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Si nisi dhe u shtri në të gjitha gjimnazet e vendit kjo skemë mashtrimi?
Maturantëve iu ishte premtuar bursë studim dhe udhëtim falas në SHBA, por për të përfituar nga ky program ata duhet të paraqisnin projektet e tyre në fushën e inovacionit si dhe më pas të testoheshin. 126 nxënës me mesatare mbi 9 u përfshinë në konkurse dhe pas 3 fazave të vlerësimit u zgjodhën 44 finalistë. Çdo shkollë zgjodhi si koordinator një mësues.
Nxënësit shprehen se nuk e kanë takuar kurrë Klea Ramën, ata komunikonin përmes një grupi WhatsApp që mbante emërin “Let’s Talk Together about US 24”, ndërsa prezantimi i këtij projekti me Minsitrin e Arsimit u bë përmes emaileve.
”Klea Rama” në Instagram postonte vazhdimisht kryeministrin Edi Rama, duke e shoqërur me shkrimin “xhaxhai”. Pas reagimit që pati Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Policia e Shtetit, nxënësit të indinjuar i kërkuan llogari mbi atë që kishte ndodhur, por ”Klea Rama” vijonte me qëndrimin e saj se është projekt zyrtar dhe iu vuri në dispozicion një numër prokurori ku iu kërkonte t’i shkruanin se organizatorët nuk kanë kërkuar lekë në këmbim të vizës.
Hetimet vijojnë për të kuptuar sesi Ministria e Arsimit ra grackë e këtij projekti, nëse kanë pasur apo jo komunimik me ambasadën amerikane për vërtetësinë e projektit apo ky institucion e besoi vërtet pa e verifikuar se Klea ishte mbesa e kryeministrit. /Euronews Albania/