KLGJ i jep një pjesë të buxhetit Ministrisë së Financave për përballimin e COVID-19

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të bëjë disa ndryshime në buxhetin e KLGJ-së për vitin 2020 me qëllim që këto fonde t’i vihen në dispozicion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përballimin e epidemisë Covid-19.

Në mbledhjen e djeshme online, gjithashtu, Këshilli caktoi në pozicion, në mënyrë të përhershme, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të dy gjyqtarëve, përkatësisht znj. Miliana Muça dhe z. Klodian Kurushi.

Gjithashtu u ngrit Komisioni i Përkohshëm për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurtë të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19.

Pas shortit, anëtarë të këtij Komisioni u zgjodhën, Naureda Llagami, në cilësinë e kryetares, Medi Bici, Brunilda Kadi, Marçela Shehu dhe  Erjon Muharremaj.

Këshilli mirato edhe i caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme, duke mundësuar zhvillimin e seancave gjyqësore, në disa prej gjykatave të vendit, brenda afateve ligjore.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli diskutoi rreth shkresës së ardhur nga Presidenti i Republikës, në lidhje me situatën në Gjykatën e Lartë.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të ngarkoi Komisionin e Zhvillimit të Karrierës par trajtimin dhe vlerësimin e kësaj shkrese.

SHKARKO APP