KLGJ pranon dorëheqjen e dy gjyqtarëve, Gjoni dhe Malaj
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar dorëheqjen e gjyqtarit Gjin Gjoni, pas kërkesës së këtij të fundit për të hequr dorë nga statusi i gjyqtarit dhe nga funksioni i gjyqtarit të Apelit. KLGJ pranoi edhe dorëheqjen e gjyqtarit të Apelit, Alaudin Malaj.
Në kërkesën e paraqitur, Gjoni pretendonte se sistemi i drejtësisë ishte në kolaps dhe lëvizjet e sita e vetting-ut nuk kishin të njëjtat parametra e kritere të barabarta për të gjithë.
Sipas Gjonit, shumë kolegë të tij që kanë dënuar eksponentë të krimit të organizuar janë flakur nga sistemi vetëm se “nuk i do partia”, ndërkohë që shumë të tjerë kanë kaluar pavarësisht paligjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtarë.
Me pranimin e kërkesës nga ana e KLGJ, Gjin Gjoni nuk ka më statusin e gjyqtarit, anëtarit të Gjykatës së Apelit dhe anëtarit të Kolegjit Zgjedhor.