KLGJ shtyn në 25 shkurt seancën për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, me argumentin se ka liruar para kohe disa të dënuar për vrasje dhe vepra të rënda penale.

Sipas ILD-së, gjyqtarja e Krujës ka dhënë vendime që diskreditojnë figurën e gjyqtarit, duke liruar nga burgu ish-anëtarin e bandës së Durrësit Endrit Doklen, si dhe Hekuran Billën, që më pas mbeti i vrarë në Qershor të këtij viti në Tiranë.

Hetimi ka përfunduar dhe raporti me shkelje të argumentuara i është dërguar KLGJ, bashkë me kërkesën për shkarkimin nga detyra.

Të pranishëm në mbledhje ishin Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dhe avokati mbrojtes i gjyqtares Ardian Visha.

Në nisje të mbledhjes, avokati kërkoi pezullim të procesit pasi sipas tij magjistratja duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje.

Metani: Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka patur mundësi e kohë për mbrotjen. Edhe avokati ka patur kohë sepse është caktuar më 27 janar. Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem do e shqyrtoj edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë çështje.

Pas këtij pretendimi, Këshilli u tërhoq për konsultim dhe vendosi shtyrjen e seancës me 25 shkurt, ku do të jetë e pranishme dhe gjyqtarja.

Aktualisht gjyqtarja Hoxha është në burg me vendim të GJKKO, që la në fuqi masën e sigurisë  “arrest me burg” për të.

Masa e sigurisë arrest me burg është dhënë për avokatin Aldo Tabaku, sekretaren Manulema Mallakuci, për ekspertin psiko-ligjor Shkelqim Korbi, Saimir Petani, Bledar Petani, Altin Skenderaj, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj  dhe Isuf Tanuzi.

Të arrestuarit akuzohen për përfshirje në korrupsion.Ndër të tjera mësohet se të arrestuarit po bënin gati dosjen për lirimin e një të burgosuri për vrasje, Saimir Petani.

SHKARKO APP