Klinika Stomatologjike, pajisje moderne për shërbim dentar falas
Pas 18 vitesh, në Klinikën Stomatologjike Universitare është investuar në pajisje moderne, që ofrojnë edhe shërbime të reja që nuk ekzistonin më parë, duke vendosur kështu një standard të ri në shërbimin stomatologjik publik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se falë investimeve të kryera në Klinikën Stomatologjike Universitare, u përmirësua cilësia e shërbimit dentar publik, i cili ofrohet ofrohet falas për kategoritë në nevojë.
Pajisjet e vendosura në Klinikën Stomatologjike Universitare janë të certifikuara sipas standardit Europian me kontrollin automatik të burimit të rrezeve. Kategoritë në nevojë, duke filluar nga fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, familjet në ndihmë ekonomike, përfituesit e institucioneve të kujdesit social i marrin të gjitha shërbimet falas. Ndërsa shërbimet profilaktike, mjekuese dhe mikrokirurgjikale janë falas për të gjithë qytetarët.
Menjëherë pas ofrimit të këtij shërbimi falas, qytetarët flasin në lidhje me shërbimin e ofruar dhe kushtet në Klinikën Stomatologjike Universitare. ”Kam ardhur të vë proteza të reja. Dëgjova në televizor që bëheshin falas edhe unë u drejtova këtu. E kam provuar edhe në privat por kushtet janë të shkëlqyera këtu”, thotë e moshuara. Një tjetër qytetare shprehet se më parë kishte pasur djalin tek privati. ”Paguaja dhe i ka rënë mbushja. Pasi e solla këtu, mirë duket”, tha ajo.
”Këtu është shtetërore. Ka më tepër siguri them unë. Ke privati s’kemi mundësi se është me lekë”,-u shpreh një qytetare. ”Këtu janë shumë të mirë. Janë të gjithë profesorë, ndaj vijmë këtu”,-u shpreh një tjetër qytetar. “Kushte shumë të mira, me ngrohje, me shërbim të kulturuar”,-thotë një qytetare. “Shumë mirë është për mua. Unë për vete jam e kënaqur”, -thotë një e moshuar.
Në këtë klinikë të vendosur brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë marrin shërbim rreth 18 mijë pacientë në vit. Janë të punësuar 46 punonjës (mjekë stomatologë, laborantë, radiologë, etj). Gjithashtu si një kampus universitar, kjo klinikë shërben si bazë praktike mësimore për rreth 350 studentë në vit.
KOHA JONË SONDAZH

