Klodian Tomorri: Koncesionet një barrë për qytetarët, kontrata abuzive miliona euro
Koncesionet po kthehen në një barrë të rëndë për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Klodian Tomorri: “Evidentohen një sërë koncesionesh problematike që janë në rastin më të mirë shpërdorim i parave publik dhe rritje e kostove përtej niveleve normale.”
Përgjegjësinë për këtë situate gazetari Klodian Tomorri ia njeh qeverisë.
Klodian Tomorri: “Kanë rritur kostot për qytetarët dhe për buxhetin përtej shifrave normale dhe kanë sjellë sjellë një faturë për ekonominë kombëtare që është në rendin e miliona eurove në vit.”
Shembujt abuzive të kontratave koncesionare janë të shumtë. Një prej tyre është ai i administrimit të aeroportit të Rinasit.
Klodian Tomorri: “Nga raporti rezulton se për periudhën nga 2004 deri në 2017 kompania koncesionare ka fituar 85 milion euro më shumë neto se sa ishte parashikuar në skenarin bazë. Dhe aksionerët e saj kanë marrë 66 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar në skenarin bazë. Automatikisht, neni 19/4 i kontratës me koncesionarin i jep të drejtë qeverisë shqiptare që të kërkojë kompensim.”
Por çfarë ka ndodhur gjate këtij viti, cilat kanë qenë hapat e qeverisë shqiptare?
Klodian Tomorri: “Prej një viti çështja lihet në heshtje. Edhe pse raporti i vrojtuesit të pavarur, BDO, është i qartë. Të katër rekomandimet se si qeveria mund të rikuperojë këto para që u takojnë taksapaguesve shqiptarë. Vendimet e qeverisë shkojnë gjithmonë në favor te koncesionarëve.”
PPP me probleme janë të shumta. Ja çfarë ndodh me koncesionet ne shëndetësi.
Klodian Tomorri: “Në rastin e koncesionit të sterilizimit, numri i operacioneve ka qenë më i lartë nga sa ishte parashikuar në kontratën koncesionare. Në rastin e koncesionit të check-up ka ndodhur e kundërta. Kërkesa ka qenë më e ulët nga sa ishte parashikuar. Kur kërkesa është e lartë, paguhet me çmim njësi, kur kërkesa është e ulët paguhet mbi vlerën bazë. Në të dy rastet vendimmarrja ka shkuar në favor të koncesionarit dhe jo në atë të interesit publik. Deri më tani check-upit i janë paguar 8 milion euro më shumë se sa duhet të kishte marrë në bazë të numrit të qytetarëve që kanë bërë kontrollin. Ndërsa tek sterilizimi kemi pasur rritje të kostot. U fillua kontrata me 1.5 mld lekë, vitin e kaluar shkoi gati në 1.9 mld. Pra një rritje me gati 20%.”
Para më shumë për koncesionarin edhe në rastin e landfillit të përpunimit të mbetjeve.
Klodian Tomorri: “Sot, bashkia e Tiranës paguan 29 euro për çdo ton mbetje që depozitohet në landfillin e Sharrës, ku operon inceratori i Tiranës. Dhe nëse vijnë edhe mbetjet e Durrësit nesër, atëherë ky biznes dyfishohet, por kjo është e padrejtë sepse kjo në thelb ndryshon totalisht planin e biznesit të koncesionit. Sipas të dhënave zyrtare sot Durrësi gjeneron 150 mijë ton mbetje në vit. Nëse do të llogariten me 29 euro për ton shkon në 4.5 mln euro në vit. Për 30 vite që është jetëgjatësia e koncesionit bëhet fjalë për një biznes që shkon 150 mln euro. Mbetet për tu parë se çfarë do të bëhet, por plani që të vijnë edhe mbetjet e Durrësit në Tiranë, pra me këtë tarifë, 29 euro, është abuzive.”
Në këto kushte gazetari Klodian Tomorri ka këtë sugjerim për SPAK.
Klodian Tomorri: “SPAK-u mund të nisë hetimet sepse media ka publikuar fakte pa fund për kontratat koncesionare. Faktet janë aty, mjafton vetëm vullneti për të parë se ku ka përgjegjësi, cilët zyrtarë janë përgjegjës, nëse ka përgjegjësi apo jo, cila është kostoja e dëmit që i është shkaktuar qytetarëve shqiptarë, nëse ka apo jo. Dhe si duhet të rikuperohet ky dëm.”