Klosi, apel nxënësve: Zgjidhni arsimin profesional

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, u bëri thirrje nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, mbi përfitimet e zgjedhjes së arsimit profesional.

I pranishëm në shkollën “Hoteleri-Turizëm” në kryeqytet, ministri foli për përfitimet dhe mundësitë e shumta  të krijuara për të rinjtë, për të pasur një zanat dhe jetë të denjë.

Po ashtu, gjatë takimit u dhanë shembuj konkrete nga ish-nxënës të kësaj shkolle për mundësitë e shumta për arsim dhe punësim, duke ndjekur arsimin profesional.

“Në të gjithë Shqipërinë, shkollat profesionale do të jenë të hapura deri më 15 shtator, afati deri kur mund të regjistroheni për arsimin e mesëm, të përgjithshëm apo profesional qoftë. Ne duam që në këto shkolla, ju dhe prindërit tuaj, të shihni me sytë tuaj se cfarë ndodh. Të shihni me sytë tuaj, se si në këto shkolla mësohet për t’u bërë një ekonomist i mirë, një ndërtues i mirë, një saldator i mirë. Sesi mund të aftësoheni që një ditë të keni biznesin tuaj fitimprurës”, tha Klosi.

Më tej, ai vuri në dukje se në të githë Shqipërinë shkollat profesionale ofrojnë për nxënësit, diploma kualifikuese për tregun shqiptar, por edhe ate botëror. Gjithashtu, ai nënvizoi se përmes një profesioni, mund të sigurohet një punë dhe jetë e denjë.

Nga ana e tyre, sipërmarrës të ftuar në këtë aktivitet, nënvizuan nevojën për të punësuar të rinj të kualifikuar në bizneset e tyre.

SHKARKO APP