Klosi: Asnjë resort nuk do të ngrihet në Divjakë-Karavasta!
Mbi 18 % e sipërfaqes së vendit është Zonë e Mbrojtur, po a e meritojnë vërtet një status të tillë? A ka zona të tjera me vlera, të cilat nuk e kanë këtë status, por që duhen ruajtur si të tilla? Ku duhet të lejohen zhvillimet urbane, ndërtimet dhe ku jo? Të gjitha këtyre pyetjeve do t’u japë përgjigje një studim mbi Vlerat e Zonave të Mbrojtura, i cili po ndërmerret nga Shoqata e Parqeve Kombëtare dhe AKZM. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi mori pjesë në takimin e organizuar për këtë qëllim në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta.
“Ishte një diskutim realisht shumë interesant pasi duken si të bukura zonat por kur i kupton nga brendësia e tyre, kupton realitetin, problematikat që ka pushteti lokal për t’i menaxhuar, kupton problematikat që ka Drejtoria e Zonave të Mbrojtura por po ashtu edhe zhvillimet në këto zona. Këto zona janë të bukura se janë të ruajtura, se kanë një mbrojtje të veçantë, por janë shumë të rrezikuara nga zhvillimet e vrullshme të kohëve moderne”, tha Klosi.
I pyetur nga gazetarët mbi idenë e ngritjes së një resorti turistik, në zonën qendrore të parkut të Karavastasë Klosi u përgjigj: “Besoj tani kemi një vendimmarrje të Këshillit të Investitorëve Strategjikë që e ka pezulluar të gjithë idenë për ndërhyrje në këtë park. Jemi në fazën që ky park është super i mbrojtur, është një mbrojtje jo vetëm shqiptare, por edhe europiane, është shpallur si zonë Emerald dhe një zonë e mbrojtur e vlerë e Rrjetit Natura 2000. Në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE do të vazhdojnë të rriten kërkesat për t’u mbrojtur më mirë dhe jo për t’u rikthyer prapa”, tha Klosi.
Janë parashikuar mbi 20 takime mes ADZM-ve, përfaqësueseve të pushtetit lokal dhe ekspertëve, të cilat po kryhen në të gjithë vendin, duke mos lënë jashtë vëmendjes dhe analizës së detajuar asnjë zonë të mbrojtur nga Parqe Kombëtare deri te Monumentet e Natyrës. Rezultatet e gjithë kësaj pune do të jenë të vlefshme për të gjithë komunitetet dhe grupet e interesit që përfshihen në zonat e mbrojtura. Procesi do të konkludojë me një vendimmarrje.
“Do të jemi kudo nëpër Shqipëri për t’ia dedikuar të gjithë periudhën tetor- nëntor këtij diskutimi dhe për të kaluar pastaj në vendimmarrjen e fundit të Këshillit të Ministrave për të përcaktuar me rregulla të qarta dhe me etiketime të qarta, por edhe me pasaporta të qarta, ku të tregohet pse kjo zonë është e mbrojtur dhe çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet. Ka ardhur koha që të vihet pika mbi i dhe zonat e mbrojtura të jenë për zhvillim të qëndrueshëm dhe për brezat që do të vijnë”,- tha Klosi.