Klosi: Aty ku nuk ka roje në plazhet private, hetim penal për pronarët

Në vitet e shkuara fatkeqësisht nuk kanë munguar jetët e humbura në plazhet e vendit, qoftë në ato private apo dhe publike. Për këtë ministri i Turizmit, Blendi Klosi dha këtë mesazh. ”Çdo humbje jete shënon për poseduesin e plazhit provat apo pronarin e hotelit një hetim penal, në rast të mungesës së rojës së plazhit”. Gjatë takimit me Komitetin e menaxhimit të sezonit turistik në Sarandë, ministri tha se roja e plazhit tashmë është kusht ligjor për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së pushuesve, dhe në rast se ai mungon atëherë hetimi penal do të hapet ndaj pronarit të plazhit privat.

Nga ana tjetër, ministri foli edhe për kërkesat e operatorëve turistik që të mos ketë kufizim për muzikën, ku u tregua i prerë se nuk do të ketë tolerime dhe duhet të respektohet fasha orare për ndalimin e tyre. “Bizneset ta kenë të qartë fashat orare të kufizimit të muzikës. Zhurmat kanë qenë një problematikë e madhe në Sarandë dhe tashmë kjo nuk do të ndodh më. Saranda nuk mund të jetë profili i një diskoteke të hapur, por i një qyteti mikpritës, kulturor dhe familjar”.

Një tjetër problematikë që ministri Klosi ngriti për qytetin e Sarandës është pastërtia e qytetit, sidomos gjatë sezonit turistik. Ndaj dhe thirrja e Klosit shkon për më shumë bashkëpunim nga hotelet private dhe operatorët turistik me bashkinë për të vendosur një orar se kur do të shkarkohen mbeturinat e tyre në mënyrë që koshat të mos rrinë plotë 24 orë në ditë duke krijuar kështu një imazh të keq për qytetin.

”Komuniteti dhe operatorët turistik duhet të bashkëpunojnë me bashkinë dhe të ruajnë pastër ambientin. Saranda është një qytet që po bëhet gjithmonë e më e pastër, dhe vetë njerëzit duhet ta ruajnë këtë pastërti. Në një moment të caktuar, thjeshtë prej disa mbeturinave mund të dëmtohet i gjithë imazhi i qytetit dhe hidhet poshtë edhe puna e operatorëve turistik. Hotelet të tregohen të përgjegjshme dhe të kenë një dakordësi se kur duhet ta kryejnë këtë shërbim”.

Operatorët turistik mbështesin marrjen e masave ekstreme në rast se subjektet që kanë marrë me qira hapësira në bregdet nuk vendosin roje në shërbim të pushuesve. Ata shprehen se ndjekja penale kur një pushues humb jetën në zonën pa vëshgues është një nga pikat e kontratës, por shtojnë se dhe pushteti vendor ka detyrimet e veta. “Çdo palë ka detyrime dhe të drejta. Përgjegjësitë ndahen atje ku merren këto përgjegjësi. Shteti duhet të vendosë tabelat përkatëse ku të njoftojë që ky plazh nuk është i përdorshëm, nuk është i vëzhguar”.

Edhe këtë sezon turistik në terren do të ketë policë çekë krah atyre shqiptare, kjo në patrullimin në të gjithë zonat bregdetare. Presidenti i Policisë çeke, gjeneral Major Jan Svejdar, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të lartë të policisë çeke zhvilluan disa javë më parë një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u pritën nga Ardi Veliu dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

SHKARKO APP