Klosi: Bregdeti shqiptar, zonë e pastër dhe e sigurtë lundrimi
Shqipëria nuk do të shënohet më në hartat ndërkombëtare si bregdet i minuar. Vendimi është bërë i ditur gjatë takimit që ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi me Drejtorin Ekzekutiv të Zyrës Hidrografike në Britaninë e Madhe, Admiralin Tim Lowe. Takimi, gjatë vizitës zyrtare të ministrit shqiptar në Londër.
Ministri Klosi informoi Admiralin Tim Lowe për nismën e Turizmit Blu në Shqipëri, zhvillimin e ekonomisë detare dhe hapat që Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka ndërmarrë për ta zhvilluar atë. Gjithashtu ministri Klosi përmendi rëndësinë e hartave detare dhe domosdoshmërinë e përditësimit të tyre. Informacioni që marrin lundruesit nga hartat detare është pikënisja e turizmit blu.
Admirali falenderoi ministrin Klosi për takimin dhe konfirmoi se shënimi “Formed mined zone” do të hiqet menjëherë nga hartat detare shqiptare që shpërndan Zyra e Hidrografisë së Britanisë së Madhe.
Admirali Lowe shprehu gjithashtu gatishmërinë në të ardhmen për asistencë në hartimin e hartave detare për turistët dhe bashkëpunimin në projekte të përbashkëta të cilat do të sjellin një informacion më të saktë dhe të detajuar për të gjitha mjetet lundruese turistike që do të vizitojnë Shqipërinë nga e gjithë bota!