Klosi: Dhënia e një zanati, thelbi i suksesit

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Universiteti POLIS nënshkruan dje Memorandumin e Mirëkuptimit, që institucionalizon bashkëpunimin e deritanishëm dhe siguron vazhdimësinë e tij në të ardhmen.

Për MMSR-në, memorandumi u nënshkrua nga ministri Blendi Klosi, ndërsa në emër të Universitetit POLIS, nënshkroi Besnik Aliaj.

Me anë të këtij memorandumi synohet mbështetja e të rinjve shqiptarë dhe orientimi më i mirë i tyre në programe studimi alternative që zhvillohen pas shkollës së mesme dhe që përmes tyre sigurohet një formim teknik i specializuar.

Më konkretisht, memorandumi i nënshkruar sot do të fokusohet në specializimin e nxënësve që kanë mbaruar arsimin e mesëm profesional apo të mesëm të përgjithshëm, në fushën e eficiencës energjetike dhe në përfundim të të cilit ata do të pajisen me një certifikatë profesionale në Efiçencë Energjetike dhe që përfshin formime të tilla si: ngohje, ftohje, kondicionim, termoizolim apo auditim energjie.

Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, ministri Klosi theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap tjetër drejt zhvillimit të arsimit profesional dhe orientimit të të rinjve drejt fushave të studimit që u japin atyre një zanat.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje është në vazhdën e përpjekjeve tona në fushën e arsimit të mesëm profesional apo edukimit profesional, duke krijuar mundësinë që të rinjtë shqiptarë të integrohen më mirë në tregun e punës. Ajo që po bëjmë sot është një nga idetë më novatore dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, ne përfshijmë një fashë shumë të rëndësishme të rinisë shqiptare, jo vetëm ata që kanë zgjedhur arsimin profesional në arsimin e mesëm, por edhe ata që kanë vazhduar gjimnazet, të cilët pasi janë hasur me një treg pune shumë të vështirë, kanë mundësinë që të bëjnë një kurs pas shkollës së mesme, çka do t'u japë atyre një zanat”, – tha ministri Klosi.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se nëpërmjet këtij bashkëpunimi, të rinjtë shqiptarë që do kenë mundësi të ndjekin këto kualifikime sipas sistemit dual, ku 50% e kohës do kalohet në mësim dhe 50% në praktikën pranë laboratorëve të universitetit dhe bizneseve, do jenë nesër të gatshëm që të përballen me sfidat e tregut të punës.

“Dhënia e një zanati, për ne është thelbi i suksesit dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë përpjekje sado e vështirë të duket. Ne kemi një sistem që nuk është i orientuar drejt punës dhe nuk i përgjigjet kohës. Ndaj ideja që ne vëmë në jetë sot i shkon për shtat specifikisht tregut të punës”, – u shpreh ministri Klosi, ndërsa evidentoi se kjo marrëveshje vjen edhe në kuadër të aktiviteteve që MMSR ka ndërmarrë për 25-vjetorin e Ditës së Rinisë. 

Nga ana e tij, drejtuesi i Universitetit POLIS, Besnik Aliaj ka vlerësuar vëmendjen e shtuar të MMSR-së ndaj arsimit profesional, duke theksuar se kjo është rruga e duhur për çdo të ri që kërkon të sigurojë një jetë nëpërmjet një profesioni apo zanati. “Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për mastera dhe doctor, por mbi të gjitha ka nevojë për njerëz që përveshin mëngët dhe punojnë, njerëz që kanë dije dhe që marrin një formim të natyrës teknike dhe praktike njëkohësisht”, – tha Aliaj.

Marrëveshja krijon mundësinë e bashkëpunimit edhe në profesione të tjera si IT, Ndërtim, Automekanikë, Mekatronikë etj.

SHKARKO APP