Klosi: Hotelet dhe restorantet të aplikojnë për plazhet private

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi u ndal sot në qytetin bregdetar të Durrësit për të shpjeguar mënyrën e re të aplikimit për stacionet e plazhit. Prioritet për të vendosur çadra dhe shezlonge do të kenë hotelet e më pas restorantet e mëdha.

”Hotelet që kanë vijën e parë në bregdet do të duhet të kenë prioritet për të marrë në shfrytëzim zonën e plazhit përpara hotelit të tyre. Më pas janë hotelet e vijës së dytë, ndërsa në zona ku nuk ka hotele siç është Hamallaj apo Gjiri i Lalzit lejet për plazhe private do t’i marrin restorantet me mbi 20 tavolina”.

Klosi demonstroi para kamerave një aplikim online në e-albania, duke treguar mënyrën sesi do të përzgjidhen fituesit. ”Për aplikimin mjafton nr i NIPT-it, vërtetimi i pronësisë, deklarata ku shënohen sipërfaqja. Mjafton të ngarkohen këto dokumente dhe sistemi elektronikisht kthen përgjigje. Më pas i miraton komisioni i ngritur me përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Shëndetësia. Pasi miratohet nga komisioni mund te kryeni pagesën sipas tarifave të vendosura nga Këshilli bashkiak i secilës bashki. Bëhet lidhja e kontratës me bashkinë, përgatiten beywatchet, vijëzimi dhe vazhdon puna”.

SHKARKO APP