Klosi: Komuniteti LGBT, realiteti shqiptar është shumë tolerant

 

Për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk ka tabu kur bëhet fjalë për të diskutuar për çështje që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare, e në veçanti rininë.

Për këtë qëllim, në kuadër të aktiviteteve për 25­vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë, ajo u kushtoi një aktivitet të veçantë edhe të rinjve të komunitetit LGBT.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Qendrës Rinore të Tiranës, ku MMSR në bashkëpunim me Aleancën kundër Diskriminimit të LGBT dhe Pro­ LGBT, në prani edhe të ministrit Blendi Klosi, përfaqësuesve nga ky komunitet, por edhe të personaliteteve nga shoqëria civile, si dhe të ambasadores së Holandës, Dewi Van de Weerd, kanë shfaqur fillimisht filmin dokumentar “Ska Ndal”. Filmi i dedikohet pikërisht lëvizjes për të drejtat e LGBT në Shqipëri dhe sjell të gjitha përpjekjet që ky komunitet ka bërë në vite për t’u pranuar si pjesë e shoqërisë shqiptare. Më pas, të pranishmit kanë zhvilluar një bashkëbisedim, ku është diskutuar në lidhje me mesazhet që përcjellë ky film, si dhe situatën me të cilën përballet komuniteti LGBT në vendin tonë, ku jo pak herë ka qenë pre e dhunës psikologjike dhe asaj fizike të shoqërisë shqiptare.

 Duke folur në këtë aktivitet, ministri Blendi Klosi ka theksuar se ky komunitet është tashmë një realitet dhe që shoqëria shqiptare duhet ta pranojë si pjesë të saj.

“Si qytetar, do doja që ta merrja të gjithë këtë gjë lehtë, sepse ky është një realitet i jetës shqiptare dhe ne duhet ta pranojmë ashtu siç është dhe të gjithë së bashku duhet të përpiqemi që këtë realitet ta pranojmë dhe të jetë një nga ato veti që ndajmë në shoqërinë shqiptare. Dhe unë kam bindjen, dhe këtu flas gjithmonë si qytetar, që realiteti shqiptar është shumë tolerant, tolerancë të cilën ne e ndajmë edhe në çështje të tjera, siç janë besimet etj”,- tha Klosi në fjalën e tij. Më tej në cilësinë e ministrit, ai ka bërë të ditur se MMSR në bashkëpunim me ekspertë dhe shoqërinë civile ka përgatitur një plan konkret veprimi, i cili bën pjesë të përfshirjes sociale edhe këtë kategori. “Ajo që doja të thosha si ministër është që ne e kemi detyrim tashmë realizimin e asaj çfarë kanë punuar shumë ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë realizuar një plan veprimi shumë interesant për komunitetin, që ne kemi për ta realizuar deri në pranverë të vitit të ardhshëm, premtim që unë ju garantoj që do ta realizojmë. Por për sa kohë që ky plan është ende pjesë e axhendës sonë të punës, çdo ndërhyrje, çdo mendim dhe çdo sugjerim për ta kthyer këtë nga një strategji të rëndomtë që ngel në letër, në një plan konkret veprimi ku çdo gjë është e menduar mirë dhe me një këndvështrim të caktuar, ne do të jemi të gatshëm ta mirëpresim. Ndaj për çdo gjë që mendoni se nuk shkon mirë në atë plan, ju lutem të jepni mendimet tuaja, në mënyrë që ditën që ai miratohet të mos jetë një plan ndërveprimi qeveritar, por një plan veprimi qeveritar dhe i komunitetit”, – shtoi ministri Klosi.

SHKARKO APP