Klosi: Kush refuzon të punojë, i hiqet statusi i të papunit

 

Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar sot në parim draft-ligjin e përgatitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë “Për punëkërkuesit e papunë”, i cili synon të frenojë dembelizmin dhe të stimulojë të papunët që të pranojnë të punojnë në vendet e punës që ofron biznesi apo edhe institucionet shtetërore.

Për ministrin Klosi,ky pr/ligj vjen ne kuader  te situates paradoksale  që haset sot në zyrat e Punës, ku nga njëra anë ekzistojnë 150 mijë kërkesa për punë dhe nga ana tjetër gjenden plot 26 800 vende pune që kërkojnë punëtorë, drafti i propozuar kërkon që të ofrojë mekanizma, të cilët do të nxisin të papunët që të pranojnë punën që u ofrohet.

Ka qenë ministri Klosi, ai që ka prezantuar këtë draft para anëtarëve të Këshillit të Punës, ku veç institucioneve shtetërore ishin prezentë edhe përfaqësuesit e sindikatave dhe ata të biznesit, të cilët në fakt u shprehën parimisht dakord me këtë projektligj.

“Ne nuk mund të pranojmë që një sistem i tërë të sponsorizojë dembellëkun e qytetarëve shqiptarë, pra të shkojnë të kërkojnë punë dhe të mos pranojnë të punësohen në vendet e punës që biznesi ofron. Projektligji është shprehur qartë për plotësimin e dy kushteve themelore që kanë të bëjnë me kushtet që monitorin Inspektorati i Punës, pra kushtet e punës, pagesa të jetë brenda kuadrit ligjor, por edhe kushtin e dytë, që punëmarrësit të kenë një mundësi për aftësim profesional. Pra kombinimi i të tre faktorëve, mundësisë për punë, kushteve të punës dhe kualifikimi i punonjësve do të jenë baza e këtij projektligji”, tha ministri.

Më tej, duke prezantuar risitë e këtij projektligji, ai ka theksuar se me miratimin e tij, një person që regjistrohet si i papunë në zyrat e Punës, do duhet të pranojë punën e përshtatshme që i ofrohet nga kjo zyrë.

Sakaq,  individi duhet të pranojë edhe që të marrë pjesë në kurset e kualifikimit profesional, që do t’i ofrohen nga institucionet shtetërore falas. Në të kundërt, në rast refuzimi, atij do t’i hiqet statusi i të papunit dhe do humbasë përfitimet që rrjedhin prej tij.

Po ashtu ministri Klosi sqaroi se “ne duhet të marrim një vendim të fortë, që ka të bëjë me moslejimin e refuzimit të herëpashershëm të punëmarrësit të ofertës për punë. Prandaj ne kërkojmë që, në bazë të ligjit të ri, punëmarrësit t’i hiqet apo t’i refuzohet statusi i punëmarrësit të papunë, nëse oferta e përshtatshme apo programet e tjera të përshtatshme kundërshtohen, refuzohen apo nuk pranohen gjatë intervistimit të tij të parë apo në takimet e tjera të radhës.

Por cilat janë rastet konkrete?

1.Kur punëkërkuesi i papunë refuzon një vend të përshtatshëm, qoftë edhe një herë të vetme, kur deklaron se kërkon punë.

2. Kur punëkërkuesi i papunë refuzon pjesëmarrjen në programin e nxitjes së punësimit, apo në programet e tjera të punësimit, siç mund të jenë punët publike apo komunitare,

3. Kur punëkërkuesi i papunë refuzon pjesëmarrjen në formimin profesional falas, kur i ndërmjetësohet puna

4. Kur konstaton se punëkërkuesi i papunë ka bërë një deklaratë të pavërtetë, atëherë kundërshtimi, mosmiratimi apo refuzimi i vendeve të punës dhe i programeve të punësimit të ofruara konfirmohen me nënshkrimin e tij dhe zyra e punësimit heq statusin e punëkërkuesit të papunë dhe njofton institucionet përgjegjëse për ta hequr nga skema e ndihmës ekonomike. 

SHKARKO APP