Klosi: Luftë informalitetit në tregun e punës

Pasi kishte paralajmëruar nisjen e operacionit të madh kundër informalitetit në datën 1 shtator, kryeministri Rama mblodhi në një takim të posaçëm përfaqësues të ministrive dhe institucioneve që do të jenë pjesë e ketij operacioni.

Në atë që e cilësoi si detyrën më të vështirë në rrugën e shtetbërjes, ndërsa më pas 'një luftë patriotike', zoti Rama tha se janë angazhuar 600 grupe inspektimi që kulmojnë me një forum koordinues nën drejtimin e vetë kryeministrit dhe të gjashtë ministrave.

 

Fjala e ministrit Blendi Klosi, mbajtur gjatë aktivitetit ku u prezantua plani operacional i beteja kundër informalitetit

Nëse një të moshuari i vjedhin pensionin mujor duke dalë nga zyrat e postës, ne e quajmë një krim të shëmtuar, por nuk reagojmë në të njëjtën mënyrë kur një punëdhënës i mohon punëmarrësit pensionin e të gjithë jetës. Në mënyrë të heshtur, ne asistojmë çdo ditë në vjedhjen e miqve dhe të afërmve tanë nga e drejta e tyre për t’iu paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, por kjo nuk na shqetëson si vjedhja e dhunshme.

I nderuar, zoti Kryeministër. Të nderuar bashkëpjesëmarrës në aksionin e madh mbarëkombëtar, në betejën kundër informalitetit. Ministria e Mirëqenies dhe Inspektorati i Punës në veçanti janë angazhuar në luftën kundër informalitetit në të gjitha format e shfaqjes së tij në një marrëdhënie pune, duke e konsideruar këtë si një problem shumë serioz për zhvillimin e ekonomisë. Ne jemi krejtësisht të ndërgjegjshëm se problematika aktuale e informalitetit në punë nuk mund të zgjidhet vetëm me një fushatë, por po ashtu jemi krejtësisht të bindur që kjo fushatë është e domosdoshme deri në momentin kur reformat institucionale, progresi teknologjik që po implementohet dhe ndërgjegjësimit publik, do të bëjnë të mundur koordinimin dhe bashkërendimin e të gjithë aktorëve në luftën kundër informalitetit.

Të nderuar kolegë. Jemi përpjekur shumë dhe kemi arritur shumë për një bashkëpunim real me biznesin, si një faktor shumë i rëndësishëm në luftën kundër fenomenit të punësimit ilegal apo mosdeklarimit të pagave reale nga punëdhënësit për punëmarrësit. Nisja e një fushate kundër informalitetit është artikuluar si kërkesë specifike e organizatave të punëdhënësve dhe organizatave të punëmarrësve në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Punës. Dhe ka qenë shpesh vetë biznesi i ndershëm, i cili ka kërkuar që të mos konkurrohet në mënyrë të pandershme e rrugë informale. Dhe do të jetë një detyrim i yni i vazhdueshëm që përsëri të raportojmë në këtë Këshill, para biznesit dhe sindikatave për rezultatet e këtij aksioni. Rritja e fushatave të ndërgjegjësimit përmes tryezave të rrumbullakëta, dëgjesave dhe takimeve duke nxitur zhvillimin e dialogut social dhe negociatave kolektive, ka sjellë në shumë raste negocimin në kohë të konflikteve në punë, duke ndihmuar kështu në zbardhjen e një numri shumë të lartë punonjësish në të zezë.

Fenomeni i punësimit ilegal ose punësim në të zezë, përmban në vetvete gjithë kompleksitetin negativ të një marrëdhënieje punësimi, dhe si të tillë ka marrë dhe vëmendjen tonë kryesore. Nga muaji tetor 2013 e deri tani, si rezultat i orientimit të planifikimit të subjekteve më në risk për informalitetin, si dhe nga regjistrimi fizik i zonave të inspektimit na rezultojnë :

•             11 020 punonjës të padeklaruar dhe të paregjistruar në skemën e Sigurimeve Shoqërore, janë konstatuar të punojnë në 25 008 subjekte, të cilat janë inspektuar apo verifikuar nga inspektorët. Nga këto:

–              7 788 punonjës të padeklaruar u konstatuan në 5 203 subjekte të paregjistruara, apo krejtësisht informale.

–              3 232 punëmarrës të padeklaruar dhe të pasiguruar në 19 805 subjekte të licencuara apo të regjistruara, që iu nënshtruan inspektimit.

Po në këtë kuadër, vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, inspektorët e punës janë orientuar dhe kanë punuar për kontrollin e subjekteve që aktivitetin e tyre e zhvillojnë gjatë sezonit turistik. Në këta dy muaj, 301 punëmarrës ilegalë të konstatuar në subjekte të licencuara janë përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, ndërkohë janë referuar në degët e Tatim-Taksave për licencim 54 subjekte të paregjistruara.

Vërehet një rritje e numrit të punëmarrësve të deklaruar nga subjektet, krahasuar me periudha të mëparshme të ushtrimit të aktivitetit, kjo si pasojë e ndërgjegjësimit dhe e krijimit të një klime më të mirë pune në zbatim të ligjit. Por të gjitha këto masa dhe pse kanë sjellë një përmirësim të situatës nuk kanë qenë të mjaftueshme për zgjidhjen e saj dhe si rrjedhojë lind domosdoshmëria e Fushatës kundër informalitetit.

Në këtë kuadër, institucioni i Inspektoratit të punës ka hartuar një platformë të qartë, me pritshmëri shumë pozitive.

•             Përmirësimi i metodës inspektuese nga inspektori i Punës, duke realizuar formalizimin e çdo punëmarrësi informal të konstatuar gjatë procesit të inspektimit të subjektit. Në këtë mënyrë i jepet fund burokracisë për delegime të rasteve për formalizim në institucione të tjera, si dhe siguron një punësim të rregullt, në zbatim të ligjit për të gjithë.

•             Zhvillimi i hartës dixhitale të shpërndarjes së subjekteve në të gjithë territorin, duke i bërë lehtësisht të evidentueshme subjektet që kanë pasur probleme me informalitetin.

•             Monitorim i vazhdueshëm i punës ndaj gjithë strukturës inspektuese, duke ofruar mbështetje për kryerjen në mënyrë sa më korrekte  të detyrës.

•             Angazhim maksimal i të gjithë trupës inspektuese, në mbështetje të aksionit kombëtar të luftës kundër informalitetit.

Duke qenë të gjithë së bashku, do të kemi sukses dhe do të kryejmë detyrën siç na takon, por rezultati ynë do të ishte i mangët pa ndihmën e:

•             biznesit të konkurruar në mënyrë të pandershme

•             organizatave të punëmarrësve të dëmtuar nga informaliteti

•             dhe të gjithë atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, u vidhet diçka që u takon.

SHKARKO APP