Klosi: Në 2 tetor testim për 540 punonjësit socialë, tolerancë zero ndaj paaftësisë

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më parë, të gjithë punonjësit e shërbimeve sociale që shërbejnë në qendrat e kujdesit social do t’i nënshtrohen një testimi rigoroz njohurish. Testimi do të bëhet në datën 2 tetor, në Tiranë, dhe atij do t’i nënshtrohen afro 540 punonjës socialë që shërbejnë në shtëpitë e fëmijës, shtëpitë e të moshuarve, si dhe të gjitha institucionet e tjera të përkujdesit social. Lajmin e bëri publik ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, nga Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku dhe prezantoi drejtuesen e re të këtij institucioni. “Nuk mund të tolerohet në institucionet publike, që fëmijët jetimë në qendrat tona të përkujdesit të dhunohen nga ata njerëz që duhet t’i mbrojnë. Nuk mund të rrimë duarkryq. Kam vendosur të marr një sërë masash, duhet të garantojmë sigurinë e tyre. Qëllimi kryesor është që çdo fëmijë, i moshuar, të marrin shërbimet më të mira të mundshme që garanton ligji. Është ngritur një grup i posaçëm për të mbikëqyrur situatën. Kam urdhëruar Shërbimin Kombëtar Social për të administruar këtë proces, që do të nisë në 2 tetor, në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës”, – tha Klosi.

Ky testim do të vërë në peshore aftësinë profesionale të punonjësve dhe sjelljen e tyre ndaj këtyre grupeve vulnerabël dhe është paralajmëruar nga ministri Klosi që në korrik të këtij viti, pas ngjarjeve në Qendrën e Fëmijës në Shkodër. “Tolerancë zero për çdo punonjës që do të marrë pjesë në këtë proces. Duhet t’i hedhim një vështrim të thellë sistemit dhe të gjithë ata që punojnë me këto grupe shoqërore të kenë njohuritë e duhura. Nuk do të lejoj që personat me profil të papërshtatshëm dhe me sjellje joprofesionale të vazhdojnë të shërbejnë në qendrat tona. Përpjekjet do të vazhdojnë për të përmirësuar kapacitetet e këtyre stafeve, duke ofruar trajnime. Bazuar në rezultatin e testimeve do të hartohen programeve të plota që do të trajnojnë punonjësit”, – tha Klosi.

 Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se ka kërkuar që pjesë e testimit të jetë edhe stafi i pushtetit vendor, ndërsa shtoi se vlerësimi i plotë i njohurive të punonjësve në qendrat e përkujdesit është vetëm hapi i parë i një aksioni të gjerë, që ka për qëllim garantimin e sigurisë së personave që janë nën mbrojtjen sociale.  

SHKARKO APP