Klosi në Gjenevë: Po punojmë për zbutjen e varfërisë përmes rritjes ekonomike dhe punësimit

 

Mbrojtja sociale dhe e drejta për punë të denjë, janë dy nga prioritetet madhore të qeverisë shqiptare. Ky është angazhimi i shprehur nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi në fjalën e tij adresuar Sesionit të 104 të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, i cili po mban punimet në Gjenevë të Zvicrës.

Duke falenderuar ILO-n për asistencën që i ka dhënë vendit tonë, Klosi evidentoi faktin se sot Shqipëria po vë në zbatim Strategjinë e Punësimit dhe Aftësive 2014-2020, e cila integron politikat ekonomike me politikat e punësimit, të edukimit dhe të sipërmarrjes, me qëllimin kryesor rritjen e punësimit. “Ne po punojmë fort për zbutjen e varfërisë dhe jemi të bindur se kjo arrihet përmes rritjes ekonomike dhe punësimit. Qeveria ime është angazhuar që deri në fund të mandatit, në vitin 2017, të krijojë 300 mijë vënde pune. Deri në fund të vitit të kaluar ne kemi krijuar 93 mijë vënde pune të siguruara, duke eleminuar kështu edhe punën në të zezë”, – tha ministri Klosi.

Duke shpjeguar për të pranishmit në këtë konferencë planin e veprimit të kësaj strategjie, Klosi ka theksuar se ai mbështetet në dy shtylla: së pari në një qasje të re të shërbimit të punësimit, jo vetëm për punëkërkuesit, por edhe për ofruesit e punës dhe së dyti, lidhjen direkte të kërkesave të tregut të punës me arsimin dhe formimin profesional, me qellimin për t’u dhënë të rinjve shqiptarë aftësi për t’ju rritur mundësitë për punësim të qëndrushëm në vendin e tyre. “Rezultati i vitit të parë të kësaj reforme ishte impresionues: në vitin e parë të shkollave profesionale u rregjistruan 40% studentë më shumë se një vit më parë”, – tha Klosi në fjalën e tij.

Objektivi i ardhëshëm në Arsimin e Formimit Profesional sipas Klosit është vendosja e sistemit dual. Një tjetër reformë tjetër e renditur nga ministry Klosi ishte edhe ajo për pensionet, e cila sipas tij solli pensione deri në 40 për qind më të larta dhe sigurimin e një pensioni social për të gjithë ata persona që deri dje për shkaqe të ndryshme nuk arinin të përfitonin asgjë. Së fundi, por jo më pak e rrëndësishme, ka theksuar Klosi, në kuadrin e reformave është edhe kujdesi i vecantë për forcimin e Dialogut Social dhe Partneritetit Social

SHKARKO APP