Klosi: Një grua e dhunuar, është një shoqëri e cënuar

 

Lufta kundër dhunës ndaj grave nëpërmjet një angazhimi të të gjitha institucioneve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile, si dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë në përgjithësi, ishin në fokusin e Konferencës Kombëtare “Për përkrahjen e barazisë gjinore dhe parandalimin  e dhunës kundër grave”, që u mbajt sot në Tiranë.

Konferenca u organizua nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me UNDP-në dhe ambasadën suedeze në Tiranë. Të pranishëm në panel ishin ministri i MSR-së, Blendi Klosi, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, zëvendës/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, drejtoresha e Përgjithshme e UNDP-së në vendin tonë, Yesim Oruc dhe përfaqësuesja e ambasadës suedeze, Brigitta Janson.

Në hapjen e këtij takimi, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi evidentoi faktin se shoqëria shqiptare ofron kontraste të forta, ku nga njëra anë kemi gra me më shumë liri në vendimmarrje dhe në jetën ekonomike e sociale të vendit, dhe nga ana tjetër kemi më shumë gra të dhunuara dhe viktima të dhunës.

“Edhe pse ka plot 25 vjet që jetojmë në hapësira shumë më shumë demokratike, në Shqipërinë moderne ka më shumë liri, por njëkohësisht ka dhe më shumë dhimbje. Ka kontraste të forta. Ka shumë më shumë gra të lira, të pavarura, por ka dhe viktima të dhunës në familje apo dhunës në rrugë. Askush nuk guxon publikisht të nëpërkëmbë një grua, por brenda mureve të mbyllura të shtëpive shumëkush është shpesh robinjë e fatit të “lig” të të lindurit grua. Fatkeqësisht, kemi akoma viktima edhe aty ku gjithkush duhet të ishte më i sigurt se kudo tjetër, në shtëpi, në familje. Kanë shkaktuar viktima ata që duhet të ishin mbrojtësit e tyre. Ka qëlluar babai vajzën, burri gruan apo vëllai motrën”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Më tej, ai shtoi se lufta ndaj këtij fenomeni nuk do jetë kurrë e suksesshme në rast se do ketë vetëm angazhim të strukturave përkatëse të rendit, pasi sipas tij, kjo është një detyrë e gjithë shoqërisë. “Dhe kjo është dhimbja e madhe, e cila nuk zgjidhet dot vetëm me polici. Kjo është sëmundja që kërkon të bëhet mjeke e gjithë shoqëria shqiptare. Për të kuruar së pari veten e saj. Mbrojtja, ruajtja dhe zhvillimi i të drejtave të grave është një proces dhe ato janë pjesë e një evolucioni të  gjithë shoqërisë shqiptare. Ato shkojnë paralelisht. Sepse një grua e dhunuar është një shoqëri e cenuar!”, – tha Klosi.

Ai gjithashtu ka shtuar se nga ana e saj, MMSR-ja ka prioritete për të kontribuar në këtë drejtim dhe ato kanë të bëjnë me fuqizimin ekonomik dhe social të grave dhe vajzave; mirëqenien sociale, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë. “Duke mbajtur këtë fjalë, duke ju parë ju kaq të shumta në këtë sallë, duke rikujtuar kaq shumë kolegë dhe bashkëpunëtorë në këto vite jetë dhe punë, por edhe duke menduar gjyshen, mamanë, motrat, gruan dhe vajzën time, të gjitha të mrekullueshme, një pyetje kam në mendje: kush është ai burrë që mund të dhunojë një grua? Dhe për këtë kam një përgjigje, ai nuk është burrë…..”, – tha Klosi në mbyllje të fjalës së tij.

SHKARKO APP