Klosi: Parandalimi sot i dhunës, investim për nesër

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Këshillin e Europës, prezantuan sot dokumentin “E ardhmja e Sistemit të Integruar të Mbrojtjes së Fëmijëve në Shqipëri”, i cili paraqet një përmbledhje të hapave që duhen ndërmarrë për të ndërtuar një sistem më të avancuar dhe bashkëkohor të mbrojtjes së fëmijëve. Në fjalën e tij në prezantimin e këtij dokumenti, ministri Klosi theksoi se krijimi i një bote ku fëmijët mund të realizojnë potencialin e tyre më të madh të zhvillimit kërkon jo vetëm mbrojtjen e tyre nga dhuna dhe abuzimi, por kërkon së pari ndërmarrjen e aksioneve konkrete institucionale dhe jo vetëm, për të garantuar të drejtat themelore të çdo fëmije. “Dokumenti që ju prezantojmë sot, paraqet një vizion të qartë, konkret dhe gjithëpërfshirës, për një sistem të integruar ku çdo fëmije të jetë i mbrojtur, dhe asnjë fëmijë të mos lihet në harresë. Është një dokument i parë i këtij lloji që qartëson për herë të parë se ç’do të thotë që të kemi një sistem të integruar për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri”, – tha Klosi në fjalën e tij.

Në këtë kuadër, ai ka evidentuar 3 objektivat kryesore të dokumenti dhe që kanë të bëjnë me krijimin e mekanizmave dhe masave efektive për parandalimin dhe përgjigjen ndaj dhunës kundër fëmijëve; krijimin e mekanizmave institucionalë efektivë duke qartësuar rolet dhe përgjegjësitë në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, si dhe krijimin e një sistemi të drejtësisë që të jetë miqësor për fëmijët.  “Fokusi ynë kryesor është parandalimi i abuzimit dhe neglizhimit të fëmijëve nëpërmjet programeve që fuqizojnë familjen, dhe që mbështesin forma pozitive të prindërimit. Të investosh sot në parandalimin e dhunës është një investim strategjik për shtetin, pasi studimet kanë treguar se të parandalosh sot, do të thotë të kursesh në shërbime apo institucione që do të duhen për të kuruar pasojat nesër”, – shtoi Klosi.

Më tej ai theksoi se duhen masa të qarta mbrojtëse për fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje, si fëmijët e dhunuar fizikisht, apo emocionalisht, fëmijët në situatë rruge apo fëmijët që janë në konflikt me ligjin. “Fëmijët sot vazhdojnë të vuajnë nga rastet e dhunës dhe abuzimit. Mjafton të shohim lajmet në media për të parë se fëmijët tanë janë ende subjekt i formave të dhunës dhe abuzimit. Në këto raste, si institucione publike kemi detyrimin të përgjigjemi në mënyrë të shpejtë dhe efikase. Nuk mund të lejojmë që fëmijët të dhunohen apo të humbin jetën; nuk mund të lejojmë që qoftë edhe një fëmijë të mbetet në hije apo në harresë”, – theksoi ministri Klosi.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani vuri theksin tek trajtimi ligjor që organet e drejtësisë u bëjnë rasteve kur objekt i konfliktit me ligjin janë fëmijët. “Projekti ynë, në këtë rast i imi si ministër i Drejtësisë, është që ne duhet të arrijmë standardin që sa më shpejt të jetë e mundur, jo burg për fëmijët. Kjo është deviza jonë. Sepse në burg nuk mëson asgjë, mëson vetëm rrugën e krimit. Për fat të keq, kështu është kjo histori. Shërbimi i provës ka marrë një mision të ri ligjor dhe që e largon të miturin por edhe të riun në përgjithësi nga rruga e burgut, nga trajtimi me burgun. Nuk është burgu për fëmijët, burgu është për prindërit e tyre, të rriturit që kanë dështuar të rrisin fëmijët e tyre”, – tha Manjani.

SHKARKO APP