Klosi reagon për TEC-in me gaz në Korçë: S’ka shanse të ndërtohet!
Pas letrës së kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo drejtuar ministrave të Ramës, Belinda Balluku dhe Blendi Klosit për të mos autorizuar ndërtimin e TEC-it të Korçës, vjen reagimi i këtij të fundit.
Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shprehet se nuk do të ketë leje për asnjë projekt të tillë.
“TEC-i Korçës një zhurmë tipike e politikës së sajesave për sherr! S’ka asnjë autorizim e asnjë leje jo e jo, po thjesht një miratim në parim si investim strategjik. Për sa kohë s’ka një projekt të standardeve të BE-së, s’ka asnjë shans jo për të nisur punë, po për asnjë autorizim!”, ka shkruar Klosi.
Dhjetëra banorë të fshatit Sheqeras, në Korçë, kanë protestuar më herët pasi kundërshtojnë ndërtimin e TEC-it në fshatin e tyre. Banorët u shprehen se janë kundër projekt ligjit të qeverisë për ndërtimin e TEC-it në zonën e tyre, pasi ndërtimi i tij do të kthejë zonën në një hapësirë të pabanueshme.
KOHA JONË SONDAZH

