Klosi: Reformë për të parandaluar radikalizmin

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Universiteti “Bedër” dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, me temë “Shoqëria e hapur, demokracia dhe edukimi si armë kundër ekstremizmit”. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi, kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, si dhe mjaft figura të shquara të medias dhe shoqërisë civile në vendin tone, të cilët diskutuan lidhur me ekstremizmin si një kërcënim global dhe mundësitë e luftimit të tij nëpërmjet edukimit dhe informimit të shoqërisë.

Në fjalën e tij, ministri Blendi Klosi theksoi se Shqipëria është vendi ku myslimanët dhe të krishterët jetojnë në një vend me vëllazëri fetare dhe histori të paqes dhe të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndaj sipas tij, vendi ynë ka se çfarë të sjellë në këtë drejtim, pasi në asnjë rast nuk ka promovuar apo nxitur ide që mund ta orientonin shoqërinë drejt sjelljeve dhe ideologjive ekstreme. Kjo si në aspektin e marrëdhënieve me fqinjët tanë, ashtu edhe në ato fetare. “Në këtë drejtim, një rol kyç duhet të luajnë studiuesit, akademikët, por edhe institucionet e arsimit, të cilat nëpërmjet punimeve të mirëfillta shkencore dhe debateve publike mund të vërtetojnë se ideologjitë që promovojnë ekstremizmin e çfarëdo lloji janë të dëmshme për shoqëritë dhe nuk sjellin zhvillim”, – tha Klosi.

Në këtë aspekt, ai theksoi se qeveria shqiptare e ka shprehur vullnetin e saj në programin qeverisës, duke përcaktuar rolin e saj në koalicionin global kundër ISIS-it dhe promovimin e harmonisë fetare. Ministri Klosi gjithashtu bëri të ditur se nisur nga situata globale dhe kërcënimi nga terrorizmi, por edhe historitë jo të largëta të Ballkanit, shumë shpejt do të prezantohet një strategji, e cila promovon edukimin e brezit të ri larg mendësive të konflikteve dhe ekstremizmave, si dhe për ta reklamuar vendin tonë si një shembull edhe për të tjerët. “Ne, në Shqipëri do të prezantojmë një reformë, për të siguruar që çdo fëmijë të edukohet me një mendësi të hapur ndaj botës së besimeve të ndryshme dhe shtigjeve të historisë. Duhet të zhvillojmë programe për komunitetin, të rinjtë, artin dhe programe kulturore, siç është Qendra Rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm, që ne jemi duke krijuar në Tiranë, për të luftuar ndarjen ndëretnike dhe ndërfetare dhe për të larguar me dialog stereotipat. Kjo qendër rajonale që do të hapet së shpejti në Shqipëri, me mbështetjen e partnerëve strategjikë do të fokusohet tek elementët edukativë, ata të bashkëjetesës fetare, pra për të punuar me komunitete të ndryshme, për të rrezatuar atë që është unike në Shqipëri: bashkëjetesën fetare”, – tha Klosi.

Më tej ai theksoi se kjo strategji synon gjithashtu të krijojë mundësi dhe kapacitete të shtetit dhe shoqërisë për të parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. “Ajo e përkufizon radikalizmin e dhunshëm si një vendim për të anashkaluar proceset politike apo metodat jo të dhunshme të nxitjes së ndryshimit, duke favorizuar përdorimin e metodave të dhunshme për të sjellë ndryshimin”, – u shpreh Klosi. Një vëmendje e veçantë sipas tij, nga ana e MMSR-së i është kushtuar pikërisht luftimit të shfaqjeve ekstreme nëpërmjet promovimit të dialogut ndërmjet të rinjve, si një mundësi për të shmangur konfliktet mes vende të rajonit dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. “Historia gjeopolitike e vendeve tona na sjell pranë nevojës për të punuar bashkërisht dhe për të shfrytëzuar pikat tona të përbashkëta në favor të së ardhmes dhe të rajonit. Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor do të mundësojë nëpërmjet programeve shkëmbyese rinore, fuqizimin e të rinjve, duke ndihmuar në edukimin dhe rritjen e tyre pa komplekse, pa stereotipe, bashkëpunues dhe të mirinformuar”, – deklaroi Klosi.

Duke u ndalur tek raporti i shtetit me besimet fetare, ministri në fjalën e tij theksoi se sot ekziston një marrëdhënie mirëkuptimi e plotë, ku komunitetet fetare respektohen por edhe ndihmohen që të promovojnë jo vetëm besimin por edhe kulturën e bashkëjetesës. “Ne sot po bëjmë atë që donin paraardhësit tanë, shtetin që i do besimet fetare, shtetin që i ndihmon ata financiarisht, shtetin që po zbaton një parim të madh, atë të respektimit të feve”, – u shpreh ministri Klosi. Ai ka theksuar gjithashtu se për të ruajtur këtë harmoni jo vetëm fetare në vendin tonë, është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithë aktorëve, shtetit, komuniteteve fetare, shoqërisë civile dhe institucioneve të arsimit.

Ndërsa ambasadori francez Bernard Fitoussi, vendi i të cilit ka qenë më i godituri kohët e fundit nga aktet terroriste, theksoi se do të ishte gabim që ekstremizmi apo terrorizmi të mund të barazohet me besimet, në rastin konkret me islamin. “Të lidhësh arsyet e reagimit të terroristëve me komunitetin dhe fenë islame, është arsyetim i gabuar dhe shumë i rrezikshëm”, – tha ambasadori Fitoussi.

SHKARKO APP