Klosi shpall fushatën: Shqipëria në 2020 i pari vend pa qese plastike
Pas lancimit të nismës për ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri, Ministri i Mjedisit dhe Turizmit,Blendi Klosi në aktivitetin për 74-vjetorin e OKB-së paralajmëroi nisjen e një fushate drastike që 2020-ta ta gjejë Shqipërinë të pastër.
Blendi Klosi: “Ne duhet të bëjmë një fushatë drastike për të shënuar 1 qershorin e vitit 2020 si ditën që Shqipëria e feston, gjithë bota e feston si Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, si ditën kur Shqipëria është pa qese plastike”.
Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin për ndryshimet klimatike, Ministri i jashtëm Gent Cakaj tha se Shqipëria do ta ketë çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe veprimin për klimën pjesë themelore të politikave të saj të platformës për kandidaturën për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së 2022-2023.
Gent Cakaj: “Shqipëria synon të zvogëlojë me 45% emetimet e gazrave serrë në natyrë në dekadën e ardhshme për të shkuar përfundimisht drejt emetimit zero deri në vitin 2050”
Ndërsa koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian Williams, në fjalën e tij tha se në Shqipëri ndodhen 17 agjenci të Kombeve të Bashkuara. Karta e OKB-së hyri në fuqi në tetor të vitit 1945 dhe përkujtohet çdo vit si Dita e OKB-së.